Shumëkush e ka quajtur kompromis, të tjerë marrëveshje historike, disa madje edhe ndarje, atë të cilën kanë komunikuar kryeministri Alexis Tsipras dhe kryepeshkopi grek Ieronimos në një konferencë të përbashkët shtypi.

Sipas tyre, pas 79 vitesh dhe më në fund, Kisha greke dhe shteti arrijnë një marrëveshje që përcakton rolin e secilës palë, e kryesisht se çfarë do të ndodhë me pasurinë e Kishës.

“Qëllimi kryesor, vullneti i përbashkët, dëshira e përbashkët është që të përballojmë çështjet e pazgjidhura historike, që pengojnë funksionimin e duhur, racionalizimin – nëse do ta quanim më mirë, – e marrëdhënieve të Kishës dhe Shtetit”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Për herë të parë, klerikët nuk do të jenë më nëpunës të shtetit, por vet shteti do të paguajë çdo vit shumën që jep sot për pagat e tyre. Nëse në të ardhmen, Kisha do të rrisë numrin e tyre, do të duhet të mbulojë vet këto shpenzime.

Për sa i përket pasurisë, për të cilën ka pasur shumë debate dhe pretendime nga të dyja palët për dekada të tëra, tashmë do të krijohet një fond, i cili do të vlerësojë dhe do të shfrytëzojë këto prona dhe të ardhurat do të ndahen në mënyrë të barabartë.

Kështu llogaritet që do të mbulohet shuma që shteti do të paguajë për pagat e 10 mijë priftërinjve të sotëm, të cilët nuk do të figurojnë më në administratën shtetërore.

Kryepeshkopi grek ka falënderuar kryeministrin Tsipras, që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese nuk preken aspak traditat shekullore të popullit dhe se parimi i neutralitetit fetar siguron rolet e veçanta dhe garantimin e lirisë fetare.

“Nëse do të arrihet mundësia ekonomike, në mënyrë që Kisha të bëhet e lirë dhe të fitojë autonominë e vet, do të thuhet në histori që ju jeni i pari që e nënshkruat këtë gjë”, tha kryepeshkopi i Greqisë, Ieronimos.

“Janë ndarë rolet, por jo Kisha nga shteti”, komentojnë shumë analistë politikë, të cilët theksojnë se, megjithëse ateisti Tsipras ka pasur qëllim ndarjen e kishës nga shteti, përsëri në parathënien apo preambulën e Kushtetutës do të mbetet e shkruar “Në emër të Trinisë së Shenjtë, Hyjnore dhe të Pandashme”.

Top Channel