Më shumë se një vit pas propozimit nga kryeministri Rama, presidenti Meta krijoi bindjen dhe dekretoi Helidon Bendon në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Emri i tij cilësohej si i refuzuar përfundimisht nga ana e presidentit, pas shumë verifikimesh që iu bënë figurës së zv.shefit të shërbimit sekret shqiptar.

Megjithatë, Bendo drejtoi realisht shërbimin që pas dorëheqjes së ish-shefit të SHISH, Visho Ajazi-Lika, i cili u bë diplomat.

Por, çfarë ndodhi që presidenti, pak orë para nisjes së një vizite tek arbëreshët në Itali, të nxirrte nga dosjet e para një viti emrin e Bendos?

Arsyet, Presidenca nuk i ka bërë të ditura, por vendimi vjen në një moment kur – siç thotë Rama, – ka nisur shahu politik.

Bendo mori emërimin në momentin kur refuzohet emri i Sandër Lleshit. Balanca politike që sjell ky emërim erdhi pak para se kryeministri Rama të mbante fjalimin e lajmëruar në Kuvend, ku – siç premtoi, – u fokusua te veprimet e presidentit me kompetenca që s’ia jep Kushtetuta.

Duket se është rasti i Lleshit që emëroi Bendon në krye të SHISH-it. Një pjesë e ekuacionit në shahun politik është zgjidhur, por loja mes dy institucioneve është në vijim. Në diskutim është ende kandidatura e propozuar nga presidenti për drejtimin e KLSH-së. Tani e ka radhën mazhoranca të bëjë lojën e saj.

Për sa i përket kreut të ri të SHISH-it, ai vijon punën që ka nisur edhe pa emërim zyrtar si drejtues i shërbimit. Me këtë dekretim, ai merr mandatin e plotë për të vijuar atë që tha Rama në Kuvend, reformimin e shërbimit, që së fundmi është përmendur edhe gjatë debatit politik në çështje si ajo e audiopërgjimeve për “Babalen”.

Top Channel