Një raport i pavarur i përgatitur me kërkesën e “Facebook”-ut zbuloi se platforma është përdorur nga disa përdorues për të “nxitur dhunën” në Mianmar.
Në raportin e pavarur të përgatitur nga organizata joqeveritare “Business for Social Responsibility (BSR)”, me temë “Vlerësimi i Ndikimit të të Drejtave të Njeriut: Facebook në Mianmar”, thuhet se Facebook dhe platformat e tjera të medias sociale kanë siguruar “mjedis të përshtatshëm” për përpapjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Mianmar.
“Disa përdorues kanë dashur të përdorin Facebook-un si një platformë për të dobësuar demokracinë në vend dhe për të nxitur dhunën jashtë linje”, thuhet në raport, shkruan transmseton Anadolu Agency.
Ndër të tjera në raport është tërhequr vëmendja se platforma në disa raste është përdorur për të dezinformuar dhe për të përhapur retorikat e urrejtjes ndërsa është nënzivuar se Facebook në Mianmar “është bërë mjet i atyre që kanë dashur të përpahin urrejtje dhe të shkaktojnë dëme”.
Gjithashtu raporti thekson se Facebook duhet të zbatojë në mënyrë më të rreptë politikat e saj aktuale mbi gjuhën e urrejtjes dhe paralajmëroi kundër rrezikut për përsëritjen e shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të njeriut para zgjedhjeve që do të mbahen në vitin 2020.
Facebook në gusht mbylli disa llogari dhe faqe me arsyetimin se ato kanë patur rol në dhunën kundër popullsisë muslimane në rajonin e Arakanit në Mianmar, thuhet ndër të tjera.
Në një deklaratë me shkrim në faqen e internetit të kompanisë u bë e ditur mbyllja e 52 faqeve në Facebook, një llogari instagrami dhe 18 llogari të Facebook, përfshirë edhe llogaritë personale të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mianmarit, gjeneralit Min Aung Hlaing, si dhe llogarinë e televizionit Myawady që është organi zyrtar i transmetimeve të ushtrisë.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, u detyruan të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin ndaj komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dëshmuar nëpërmjet imazheve satelitore se qindra fshatra janë shkatërruar.
Marrëveshja e nënshkruar midis qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për kthimin e qytetarëve të Arakanit në territorin e tyre mbetet në praktikë pa efekt pasi nuk është e mundur të dokumentohet gjendja e të zhvendosurve.
Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.
Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave të ndihmave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.
Organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuara se rikthimi i muslimanëve të Arakanit në Mianmar pa ofruar një mjedis të sigurtë do të çojë në një fushatë të re të spastrimit etnik.
Top Channel