Italia pritet të shpallë gjendjen e emergjencës, pas stuhive që u kanë marrë jetën deri më tani të paktën 30 personave. Nëntë pjesëtarë nga dy familje humbën jetën në Siçili, kur shtëpia e tyre u shemb.

“Ne vraponim nga dhoma në dhomë”, thotë Giuseppe Giordano, që humbi bashkëshorten dhe fëmijët në tragjedi. “Djali im Federico mbante një nga fëmijët në krahë. Papritur gjithçka u errësua. Unë mora çelësat e makinës dhe u përpoqa të hyja brenda, por dritarja shpërtheu, muri u shemb”.

Gjatë një vizite të së dielës në një nga rajonet më të goditura të vendit, ministri i Brendshëm Matteo Salvini tha se 250 milionë euro ishin akorduar deri më tani për ndihmat, por më shumë se 40 miliardë euro do të nevojiten për t’ia kursyer Italisë përsëritjen e katastrofave të tilla në të ardhmen.

Kryeministri italian, Giusepe Conte foli për një tragjedi të jashtëzakonshme, gjatë vizitës së tij në zonat e prekura të Siçilisë. Ai tha se, një mbledhje e kabinetit do të thirrej këtë javë për të shpallur gjendjen e emergjencës, e për të përcaktuar paketën e parë të ndihmave.

Sipas zyrtarëve do të duhet të paktën një shekull që disa rajone të goditura rëndë, ku stuhitë kanë bërë një masakër të vërtetë në pyje, ta rimarrin veten nga një shkatërrim i tillë.

Top Channel