Irani betohet të “thyejë” sanksionet e rivendosura nga Shtetet e Bashkuara mbi sektorë kyçë të ekonomisë së tij.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer të gjitha masat shtrënguese, të hequra pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Republikës Islamike dhe fuqive të mëdha botërore, në përpjekje për të ushtruar presion të shtuar mbi të, me qëllim të reduktojë aktivitetin bërthamor, raketor e rajonal.

Sanksionet, në fakt, janë të rënda. Ato do të godasin eksportet e naftës, transportin detar dhe bankat, e do ta vështirësojnë shumë të bërit biznes me shtetin e pasur me naftë. Irani, e thënë nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, duhet të sillet si një “vend normal, ose do ta shohë ekonominë e tij të shkërrmoqet”.

Presidenti iranian Hassan Rouhani, megjithatë e priti sfidues këtë lëvizje të Uashingtonit.

“Ne do t’i thyejmë sanksionet. Amerika kërkon t’i çojë në zero eksportet tona të naftës, por ne do të vazhdojmë të shesim naftë, e nuk do të pyesim për sanksione”, tha Hassan Rouhani, president i Iranit.

Administrata amerikane synon të ndëshkojë fort sipërmarrjet që nuk i respektojnë sanksionet. Një nga mënyrat është përjashtimi i sipërmarrjeve të tilla nga sistemi financiar amerikan, sepse ato nuk do të mund ta kryejnë biznesin në dollarë amerikanë.

Çështja është se Uashingtoni do të bëjë përjashtime për disa vende. Importuesit më të mëdhenj të naftës iraniane, si Kina, India, Koreja e Jugut dhe Turqia përjashtohen nga sanksionet, por ndërkohë Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë asnjë përjashtim për europianët.

Top Channel