Shqiptarët në Maqedoni nisën një fushatë në rrjetet sociale, me qëllim që të ndërgjegjësojnë politikanët që të njihen si shtet-formues, teksa vendi po punon për ndryshimet kushtetuese, në bazë të Marrëveshjes së Prespës.

Në qendër të fushatës “Don’t you 20% me, I’m Albanian” (Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar), janë kërkesat për partitë politike që të japin kontributin e tyre dhe që përmes amendamenteve të propozojnë në Parlament ndryshimin në kushtetutë të emërtimit “bashkësia etnike mbi 20%”, të cilin e quajnë term fyes, dhe zëvëndësimin e tij me emërtesën “shqiptarët”.

Fushata në Facebook gjithashtu synon edhe në zëvendësimin në pjesët ku thuhet “gjuha e bashkësisë etnike mbi 20%” dhe në vend të saj të jetë “gjuha shqipe”.

Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj fushate, para se të jetë politike është humane dhe shumë fisnike. Është nismë qytetare, që ka për qëllim sensibilizimin e opinionit, brenda dhe jashtë vendit, rreth një çështjeje shumë të ndjeshme që po i mundon shqiptarët e Maqedonisë.

“Ne besojmë se fuqia e sovranit është pakufizuar, prandaj nëpërmes kësaj fushate dhe përkrahjes së madhe që po gjejmë tek Ju, do të arrijmë të bëjmë presionin e nevojshëm ndaj atyre që bëjnë politikën vendore dhe na përfaqësojnë në institucionet e shtetit. Të bëjmë presionin e nevojshëm që çështja që kaq vite me radhë na mundon dhe nënçmon, të zgjidhet njëherë e mirë”, thonë ata.

Mesazhet tona do të dërgohen edhe përfaqësuesve të shteteve tjera të akredituara në Maqedoni, sidomos atyre më me ndikim në politikën vendore, SHBA dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që të binden në kërkesën fisnike të popullit shqiptar, shprehen organizatorët, duke shtuar: E themi “të binden” sepse mendojmë se ky është momenti më i përshtatshëm për ta zgjidhur çështjen aktuale të përfaqësimit të popullit shqiptar si nocion kombëtar dhe jo si përqindje, duke kërkuar që presioni ndërkombëtar të jetë më i madh ndaj institucioneve relevante politike.

“Tani që është hapur procedura për ndryshimet kushtetuese dhe po pritet nga qeveria që të dorëzojë propozim amandamentet, që duhet të diskutohen dhe votohen, ne e cilësojmë si momentin e duhur për ta zgjidhur çështjen tonë dhe të fillojmë të ndërtojmë një shtet me shoqëri të barabartë. Duam diçka shumë të thjeshtë dhe thelbësore. Të quhemi Shqiptarë dhe gjuha jonë të quhet Gjuha Shqipe në Kushtetutën e vendit ku jetojmë dhe ku jemi të shumtë në numër. Me ndryshimet e këtilla të kushtetutës, fiton populli shqiptar dhe ndërkohë, nuk humb asnjë popull tjetër. Kërkesë shumë natyrale për çdo popull në botë”, thonë organizatorët e fushatës.

Top Channel