Gjiganti televiziv britanik “Sky” ka marrë një vendim për shkurtimin në mënyrë drastike të reklamave të lojërave të fatit, mes shqetësimit gjithnjë në rritje të varësisë ndaj basteve sportive dhe lojërave të tjera.

Ky vendim pritet të zbatohet me nisjen e sezonit të ri vitin e ardhshëm në Premier League. Aktualisht, shfaqen deri në katër reklama kompanish bastesh gjatë pushimit të ndeshjeve.

Kufizimet e reklamave të lojërave të fatit do të aplikohen jo vetëm në kanalet e “Sky”, por edhe në kanalet e tjera që blejnë të drejtat e transmetimit të sinjalit të eventeve sportive të prodhuar nga “Sky”.

Kufizim nuk do të ketë vetëm për reklamat e basteve sportive, por edhe të bingove, “poker online” e lojërave të tjera.

Kufizimet e vetë-imponuara të reklamave pritet që “Sky”-t t’i kushtojnë me dhjetëra miliona paund të ardhura në vit. Bastet sportive në Britani llogariten rreth 200 milionë paund në vit nga reklamat televizive dhe nga këto “Sky” kontrollon thuajse gjysmën e tregut.

Nga viti 2020, gjithashtu “Sky” do t’u japë mundësi shikuesve të kanaleve të kompanisë që të përjashtojnë manualisht reklamat e lojërave të fatit nga kjo platformë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA