Armëpushimi që i dha fund Luftës Botërore, Macron e përkujton përkrah May-it

04/11/2018 15:41

Presidenti francez Emmanuel Macron e shënon arritjen e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore me një ceremoni në Somme, ku ka luftuar dhe stërgjyshi i tij britanik.

Së bashku me shefen e ekzekutivit në Londër, Theresa May, Macron do të marrë pjesë në një kremtim në bashkinë e qytetit Albert, në veri të Francës në 9 nëntor, e më pas do të vendosin kurora me lule në memorialin e ngritur në Thiepval në nder të britanikëve dhe atyre nga forcat e Commonwealth-it që humbën jetën në betejën e Somme-s në 1916-s, por që nuk e kanë një varr.

Eventi do të ketë një domethënie të veçantë për Macronin, i cili ka lindur në Amiens-in ngjitur dhe është rritur në një zonë të Francës të shënjuar fort nga konflikti.

Stërgjyshi i tij britanik, George William Robertson, luftoi atje dhe mori një medalje trimërie. Pas luftës, George i lindur në Bristol vendosi të qëndronte në Francë, ku u martua me një vendase, Suzanne Leblond.

Macron do të drejtojë kremtimet disa ditore të armëpushimit me synimin e qartë t’i bëjë homazhe atyre që vdiqën në të dy krahët e konfliktit që zgjati nga 1914-ta deri në 1918-ten. Ceremonitë nisin pikërisht sot në Strasburg, me një shtrëngim duarsh me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe përfundojnë në Compiègne në 11 nëntor ku do të drejtojë me kancelaren Angela Merkel një event të përbashkët franko-gjerman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA