Nga një hangar aeroporti, lart mbi kodrat e Huntingtonit në West Virginia, presidenti Donald Trump bëri të premten deklaratat e fundit për republikanët që garojnë në zgjedhjet e mesmandatit.

Por, në një shtet të cilin ai e fitoi bindshëm në vitin 2016, e përpara një turme më të nënshtruar sesa zakonisht, presidenti u duk të pranonte për herë të parë se republikanët mund të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Kjo mund të ndodhë, – tha Trump. – Por ju e dini se çfarë bëni. Më kuptoni edhe çfarë dua të them. Mos u shqetësoni për këtë, unë thjesht do ta zgjidh”.

Presidenti foli mbi kandidaturën e Prokurorit të Përgjithshëm Patrick Morrisey për në Senat, si dhe garën e Carol Miller për Dhomën e Përfaqësuesve. Që të dy ata janë në një garë të përafërt dhe ndonjëherë edhe inferiorë, përballë demokratëve Richard Ojeda dhe senatorit Joe Manchin.

Trump e fitoi shtetin malor me një përqindje dërrmuese votash në zgjedhjet presidenciale, një fakt që presidenti mezi priste ta theksonte përpara turmës.

“A e dini se për çfarë flitet? Ka dëgjuar ndonjëherë ndonjëri për 42 pikë përqindjeje?”, tha Trump, duke i rikujtuar kështu audiencës marzhin e lartë me të cilin fitoi kundër Hillary Clintonit.

Ndërkohë, teksa ndodhej në bordin e “Air Force One”, presidenti tha se kishte parë daljet në fushatë të ish-presidentit Barack Obama për demokratët në Florida, por pretendoi se Obama “kishte një turmë të vogël”.

“Isha në avion, nuk kisha se çfarë të bëja. E dëgjova atë teksa thoshte të vërtetën, – tha Trump. – E sërish, ai tha se ju mund ta mbani doktorin tuaj nëse e pëlqeni”, duke iu referuar kështu “Obamacare”.

Në ditën kur presidenti duhej të fliste për ekonominë, ai u fokusua tek emigracioni, Kavanaugh, qymyri dhe kujdesi shëndetësor, një temë tejet e nxehtë në shtetin malor të West Virginias.

“Të gjithë ata thonë se unë duhet të flas për ekonominë. Epo mirë, ne kemi ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë. Por ndonjëherë nuk është aq emocionuese të flasësh për ekonominë, apo jo? Kjo, sepse ne kemi shumë gjëra të tjera për të folur”, tha Trump.

Top Channel