Presidenti i SHBA Donald Trump tha të premten se emigrantët e paligjshëm që mund të hedhin gurë ndaj ushtrisë, do të arrestohen, por nuk do të qëllohen nga trupat.
Ai u bëri vërejtje gazetarëve një ditë pasi ai sugjeroi se ushtria mund të hapte zjarr mbi anëtarët e një karvani të emigrantëve, nëse ata hedhin gurë ndaj ushtarëve.
“Ata nuk do të duhet të hapin zjarr. Ajo që nuk dua, është që këta njerëz të hedhin gurë. Nëse ata e bëjnë këtë me ne, ata do të arrestohen për një kohë të gjatë”, u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Trump ka ngurtësuar qëndrimin e tij mbi emigracionin, dhe posaçërisht kundër karvanit të emigrantëve, përpara zgjedhjeve të kongresit të javës së ardhshme, në të cilën partia republikane e tij do të përpiqet të mbajë kontrollin e të dy dhomave.
Të hënën, Pentagoni tha se kishte vendosur më shumë se 5,200 trupa në kufi pasi Trump tha në Twitter se po dërgonte ushtrinë për t’u përballur me karvanin e emigrantëve, një grup burrash, grash dhe fëmijësh që udhëtonin nëpër Meksikë, ndërsa iknin nga dhuna dhe varfëria në Amerikën Qendrore.
Top Channel