Bashkimi Europian, Franca, Gjermania dhe Britania thanë në një deklaratë të përbashkët të premten se ndjejnë keqardhje mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të vendosur sanksione ndaj Iranit.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë aktorët ekonomikë evropianë që kanë shkëmbime legjitime tregtare me Iranin, në përputhje me legjislacionin evropian dhe rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në një takim me ministrat e jashtëm dhe ministrat e financave të tre vendeve.
Sanksionet e reja të Shteteve të bashkuara të Amerikës, ndaj Iranit, do të hyjnë në fuqi këtë të hënë, si një përpjekje e presidentit Donald Trump, për të detyruar Iranin të frenojë programin e tij bërthamor dhe financimin e grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Perëndimore kishin nënshkruar një pakt bërthamor me Iranin në vitin 2015, por Trump vendosi tërheqjen e Uashingtonit nga kjo marrëveshje, me pretendimin se Irani nuk e ka respektuar, pasi ka vijuar avancimin e programit bërthamor.
Top Channel