Një foto shumë trazuese, e një vajze të vogël që vuante nga uria, është bërë fytyra njerëzore e krizës së gjerë humanitare të Jemenit. Vetëm pak ditë pas publikimit të fotos, vajza është ndarë nga jeta.

Fotoja është realizuar në kuadër të një raporti për “New York Times” nga gazetari Declan Walsh dhe fotografi Tyler Hicks, që po hetonin për pasojat e më shumë se 3 viteve luftë, në jetën e njerëzve në Jemen.

Konflikti mes koalicionit të udhëhequr nga sauditët, e që armatoset nga Perëndimi, dhe rebelëve “Houthi”, vazhdon pavarësisht apeleve në rritje për një armëpushim. Mjekët në spitalin “Aslam”, 144 km në veriperëndim të kryeqytetit jemenas, Sanaa, i treguan ekipit të “New York Times” shtatëvjeçaren Amal Hussain.

“Ajo ishte një vogëlueshe që rrinte e shtrirë, pa lëvizur. Nëna e saj i qëndronte pranë. Ajo na tregoi se ishin refugjatë nga një pjesë tjetër e vendit. Shtëpia e tyre ishte bombarduar”, tregon Walsh.

Familja nuk mund të siguronte më ushqim. Amal ishte sëmurë dhe ishte shtruar disa herë në spital për kequshqyerje. Imazhet e saj, e shtrirë në një krevat spitali, tronditën botën. Por, vetëm pak ditë pas publikimit, Walsh mori një lajm nga nëna e saj: Amal nuk jetonte më!

Rreth 1.8 milionë fëmijë në Jemen janë të kequshqyer dhe 8 milionë njerëz varen nga organizatat e ndihmave, ndaj ekziston frika se numri mund të rritet edhe më shumë. E ndërsa thirrjet globale për një armëpushim intensifikohen, historia e një vajze të vogël detyroi botën të hapë sytë para kostos së jashtëzakonshme njerëzore të konfliktit të hidhur në Jemen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA