FIFA dhe Gianni Infantino kanë reaguar pas publikimeve të një dite më parë nga i ashtuquajturi “Football Leaks”, që vuri në shënjestër UEFA-n dhe klubet e PSG-së dhe Manchester Cityt, përmes dokumenteve që tregonin se këto dy klube ishin ndihmuar nga qeveria europiane e futbollit për t’iu shmangur penalizimeve të rënda nga rregulli i “Fair Play”-t financiar.
Presidenti tashmë i qeverisë së futbollit botëror, deklaroi se akuzat janë bërë nga persona që kanë humbur pushtetin, ndërsa vet FIFA theksoi se një grup gazetarësh kishin bërë pyetje duke u bazuar të informacione e “e-mail”-e të zbuluara në mënyrë ilegale nga palë të treta, e se ato pyetje kishin marrë përgjigje, por medie të caktuara i injoruan ato për të denigruar këtë institucion.
Lexo edhe:
“Football Leaks”: UEFA ka ndihmuar PSG dhe Cityn t’i shmangen FFP-së
Sipas dokumenteve të publikuara nga “Mediapart” në Francë, UEFA i ndihmoi dy klubet e mësipërme të manovronin në mënyrë të tillë, që të merrnin sanksionet më minimale nga rregulli i FFP-së. Nga sa u mësua, protagonistë në këtë histori ishin bërë ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, dhe Gianni Infantino, aktualisht president i FIFA-s.
Sipas dokumenteve, Paris Saint-Germain i kishte tejkaluar parametrat me 215 milionë euro dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit biseduan me Platininë e Infantinon për të evituar përjashtimin nga kompeticionet europiane. Infantino madje i lejoi PSG-së të përdorte kontratën sponsorizuese me prapaveprim me Katarin, për sezonin 2013-2014, ashtu siç kishte bërë edhe më parë me Manchester Cityn. Në këtë mënyrë, PSG dhe Manchester City përfituan respektivisht 1.8 miliardë dhe 2.7 miliardë euro.
Historitë nuk mbyllen këtu. “Football Leaks” zbuloi gjithashtu se UEFA vendosi t’u japë përfitime më të mëdha klubeve më të rendësishme në Europë, për të evituar krijimin e Superligës. Sipas këtyre dokumenteve, ky projekt ishte shumë pranë realizimit dhe do të bënte inekzistente Champions Leaguen duke nisur nga viti 2021.
Top Channel