Trupat turke dhe ato amerikane filluan të enjten patrulla të përbashkëta në Sirinë veriore, që synonin shmangien e përplasjeve mes Turqisë dhe aleatëve kurdë të Uashingtonit, por Turqia vazhdoi me një ofensive të re duke kërcënuar për të shtypur kurdët aty pranë.

Të dy vendet po punojnë për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, edhe pse Turqia synon të shtypë milicinë kurde të YPG. Kjo e fundit përbën pjesën kryesore të Forcave Demokratike të Sirisë (SDF) që Uashingtoni mbështet me armë, mbështetje ajrore dhe rreth 2,000 trupa speciale në terren në luftën kundër Shtetit Islamik.

Për të shmangur më shumë luftime, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ranë dakord tre muaj më parë për të mbajtur patrullime të përbashkëta rreth qytetit Manbij në bregun perëndimor të Eufratit, nën një marrëveshje që gjithashtu pa të tërhiqeshin luftëtarët kurdë nga qyteti.

Por, edhe pse patrullat e përbashkëta do të fillojnë këtë javë, Turqia njoftoi një ofensivë të re kundër kurdëve në bregun e kundërt të lumit, në territorin ku SDF mbështetet nga trupat e SHBA për të luftuar kundër Shtetit Islamik.

Ministri i mbrojtjes i Turqisë dhe koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri konfirmuan të enjten fillimin e patrullave të përbashkëta në Manbij, rreth 30 km nga kufiri turk. Më parë, forcat amerikane dhe turke kanë mbajtur patrullime të koordinuara por të veçanta atje.

Top Channel