Ekipi i Paris Saint Germain mposhti Lillen me rezultatin 2-1 në “Parc des Princes”, duke treguar se po zhvillon një sezon monstruoz në kampionatin francez, ku ka fituar të 12 ndeshjet e luajtura.
Skuadra e drejtuar nga Tuchel zhvilloi një ndeshje në kufijtë e perfeksionit, duke mbyllur në gjysmëfushë kundërshtarin, ndonëse për të gjetur golat e fitores, vuajti jo pak.
Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 70’, kur sulmuesi francez Kylian Mbappe shënoi një supergol nga distanca, pasi gjuajti bukur dhe e ndali topin në rrjetën e portës së Lilles.
Vetëm pak minuta më vonë, pikërisht në të 84-ën, Mbappe shërbeu bukur për brazilianin Neymar dhe ky i fundit gjuajti po aq bukur, për të mposhtur për herë të dytë portierin kundërshtar.
Lille shënoi golin e nderit vetëm në minutën e 4-t shtesë, falë një penalltie të ekzekutuar saktë nga Nicolas Pepe, i cili mposhti portierin e PSG-së Buffon dhe çoi topin në rrjetë, por që shërbeu vetëm për statistikë.
Kjo ishte fitorja e 12 e PSG-së, në po kaq ndeshje të kampionatit, duke bërë që skuadra kryeqytetase të kryesojë me 36 pikë të plota dhe të lërë pas me 11 pikë më pak, Lillen e vendit të dytë.
Edhe më i dukshëm bëhet dominimi i Paris Saint Germain, po të analizohen edhe statistikat e ndeshjeve, që flasin për plot 41 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar, shifra që “vrasin” shpresat për titull të rivalëve.
Top Channel