Mesfushori i kombëtares belge të futbollit, Kevin De Bruyne pësoi një tjetër dëmtim të rëndë, që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën 6 javë.
Në ndeshjen që Manchester City fitoi ndaj Fulhamit në Kupë, pati një përplasje mes Fosu Mensah dhe mesfusorit të kampionëve të Anglisë, e ky i fundit dëmtoi ligamentet në gjurin e majtë.
27-vjeçari që mungoi për dy muaj, për një problem serioz fizik në stërvitje më herët këtë fillimsezoni, duhet tani t’iu rikthehet klinikave mjekësore dhe fazës rikuperuese.
“Dëmtimi i mëparshëm ishte shumë më i rëndë, por sërish jam i shqetësuar që po na ndodhin shpesh këto probleme muskulare. Ne jemi një skuadër më e fortë me De Bruyne në fushë, por do të duhet të mësohemi edhe pa të”, tha trajneri Pep Guardiola.
Kevin De Bruyne do të udhëtojë në Barcelonë për një trajtim më të specializuar, e tekniku i “Citizens” beson se mesfushori do ta kalojë dëmtimin me një kohë të çmuar në familje.
Futbollisti belg do të mungojë për të paktën 7 ndeshje, duke përfshirë dhe derbin e qytetit të Manchesterit fundjavën e ardhshme, e madje edhe përballjen e rëndësishme ndaj Chelseat më 8 dhjetor.
Top Channel