Luis Suarez është një element i domosdoshëm në lojën e Barcelonës. Sulmuesi uruguajan vendos shpesh ndeshjet për skuadrën e katalanasve, e rasti më i fundit ishte trigolëshi i tij në “El Clasico”-n ndaj Realit të Madridit, që Barcelona e fitoi thellë 5-1.

Por Luis Suarez është 31 vjeç, kështu që është e paevitueshme që kampionët e Spanjës të nisin të mendojnë për të gjetur zëvendësuesin e tij, gjë që është pohuar edhe nga vet uruguajani.

Deklarata e Luis Suarezit ka bërë që në vendin iberik të ngrihen hipoteza të ndryshme, për atë që do ta zëvendësojë atë në radhët e Barcelonës. E përditshmja “El Mundo Deportivo” ka përpiluar një listë me emrat e futbollistëve që mund të zënë vendin e Suarezit.

Sipas kësaj të përditshmeje, i preferuari i trajnerit Ernesto Valverde është Harry Kane, që është edhe në shënjestrën e Realit të Madridit. Por pengesë për anglezin bëhet kostoja e transferimit të tij, pasi Tottenhami kërkon 200 milionë euro për të, shifër kjo që konsiderohet shumë e lartë për klubin “blaugrana”.

Në listën e dëshirave duket se figurojnë edhe Werner i Leipzigut dhe Dolberg i Ajaxit, ndërkohë që së fundmi është shfaqur edhe ai i Mauro Icardit. Kapiteni i Interit, që është formuar pikërisht në akademinë e Barcelonës, sipas “El Mundo Deportivo” ka lënë mbresa te të gjithë me aftësitë e tij në shënimin e golave, por gjithsesi ende nuk ka karakteristikat e duhura për lojën e Barcelonës.

Një tjetër emër që figuron mes kandidaturave të mundshme për të zëvendësuar Suarezin është edhe Piatek i Genoas, i cili është vënë nën monitorimin e drejtuesve të Barcelonës, që e konsiderojnë si një opsion të vlefshëm për të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA