Administrata e presidentit Trump do të rivendosë të gjitha sanksionet amerikane mbi Iranin, që ishin hequr në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Sidoqoftë, 8 vende, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditura, nuk do të penalizohen nga Shtetet e Bashkuara, nëse do të vazhdojnë të importojnë naftën iraniane.

Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në maj, duke e cilësuar atë si me probleme. Marrëveshja bëri që Irani të kufizonte aktivitetet e tij bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Barack Obama, presidenti amerikan që e nënshkroi atë, kishte argumentuar se marrëveshja do ta pengonte Iranin të zhvillonte armët bërthamore.

Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina ishin po ashtu vendet e tjera firmëtare të marrëveshjes, të cilat i qëndrojnë besnike asaj edhe tani. Këto vende kanë thënë madje se do të ngrenë një sistem të ri pagesash për të ruajtur bizneset në Iran, e për të anashkaluar sanksionet amerikane.

Trump argumenton se kushtet e marrëveshjes janë të papranueshme dhe ajo nuk e ka penguar Iranin në zhvillimin e programit të raketave balistike dhe ndërhyrjet në vendet fqinje, përfshirë Sirinë dhe Jemenin. Irani, ndërkohë, e ka akuzuar Trumpin se ka nisur një luftë psikologjike.

Top Channel