Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka përgënjeshtruar lajmet e qarkulluara në disa media sipas të cilave ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka rënë dakord me këshilltarin amerikan të sigurisë kombëtare John Bolton për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Kjo është krejtësisht e pasaktë, deklaroi Vuçiç, unë kam marrë mesazhe nga Lavrovi e diçka e tillë nuk më figuron. Ata kanë folur vërtet për herë të parë bashkë për Kosovën, por nuk ka asnjë marrëveshje.

“Nëse është dikush që duhet të bjerë dakord për këtë çështje ai është Beogradi”, u shpreh kreu i shtetit serb.

Vuçiç citohet të ketë thënë se Beogradi e Prishtina janë larg zgjidhjes me kompromis. Ai u pyet nëse kjo zgjidhje do të mund të gjendet shpejt, ashtu siç përflitet, me rastin e festimit të Ditës së Paqes në Luftën e Parë Botërore.

Përgjigjja ishte se një gjë e tillë është një iluzion, por nuk është krejtësisht e pamundur që të ndodhë. Vetë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sakaq, nga konferenca e sigurisë që po zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, u shpreh se koha për një marrëveshje Kosovë-Serbi është tani, por përsëriti edhe një herë se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike e as shkëmbim popullatash.

Top Channel