Presidenti i porsazgjedhur i Brazilit e nisi punën me polemika: Jair Bolsonaro i ekstremit të djathtë ka në plan të shkrijë Ministrinë e Bujqësisë me atë të mjedisit, por kritikët thonë se kjo lëvizje vë seriozisht në rrezik pyjet e Amazonës.

Lideri i ri kontrovers i vendit është mbështetur fuqishëm nga lobi i agrobiznesit. E shefi i tij i stafit, Onyx Lorenzoni, foli për një dikaster që praktikisht do të jetë një super ministri sipas tij.

Por nuk e mendon kështu Marina da Silva, e cila e ka mbajtur me parë portofolin e ministres së Mjedisit.

“Ky vendim katastrofik, u shpreh ajo, do t’i shkaktojë brazilit dëme serioze e do të krijojë jashtë kufijve idenë se agrobiznesi vendas mbijeton fale shkatërrimit të pyjeve”.

Rajoni i Amazonës ka pyjet më të mëdha tropikale të botës dhe është vendi i një numri të madh speciesh të rralla bimësh e kafshësh, të cilat shkencëtarët as nuk i kanë zbuluar dot ende të gjitha.

Pjesa dërrmuese e sipërfaqes së gjerë të saj prej miliona kilometrash katrore gjendet brenda kufijve të Brazilit, ku sipas ligjeve që datojnë nga 1965-sa, pronarët e tokave duhet të mbajnë një përqindje të terrenit të pyllëzuar.

Top Channel