Taulant Mukës, shkencëtari shqiptar në fushën e mjekësisë që jeton e vepron prej pak vitesh në Kopenhagen të Danimarkës, do t’i duhet tashmë të shkëputet disi nga impenjimet e tij në fushat e kërkimit shkencor për t’u fokusuar në rolin e zv.ministrit të Arsimit në qeverinë e kryeministrit Rama.
Ka qenë pikërisht vendimi i miratuar këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, sigurisht me propozim të vet kryeministrit, ai që shkarkon nga detyra ish-zv.ministrin e Arsimit dhe ish-zv.rektorin e Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, për ta zëvendësuar atë me kërkuesin Taulant Muka. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
“EMËRIM NË DETYRË – Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Z. Taulant Muka emërohet zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, lexohet në njërin prej vendimeve të ditës së sotme.
Taulant Muka ka qenë i ftuar edhe në emisionin “Top Show” në ekranin e Top Channel gjatë prillit të këtij viti, emision gjatë të cilit denoncoi se rreth 80 për qind e anëtarëve të Akademisë së Shkencave kanë zero publikime shkencore. Ndërkohë, akuza më e rëndë prej tij erdhi për zv.ministrin e Arsimit në detyrë deri më sot, Ervin Demo, të cilin e bënte fajtor për plagjiaturë.
Doktoraturë me 750 euro, skandali zbulohet në Top Show
Shkencëtari Muka tregoi edhe sesi i kishte bërë “shkencëtare” dy gjyshe, duke publikuar artikuj të sajuar në revista aspak prestigjioze për akademikë, aty ku kishin publikuar edhe shumë prej personaliteteve shqiptare me tituj të lartë studimi.
Top Channel