Majko vizitë në Irlandë, Cannon: Të gatshëm të bashkëpunojmë për projekte të përbashkëta

31/10/2018 20:04

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Irlandë, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është njohur më nga afër me programin e suksesshëm të diasporës që ky vend ka, ndërsa ka zhvilluar edhe disa takime.

Ai u takua ditën e sotme me homologun irlandez Ciarán Cannon. Dy ministrat biseduan për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe në fushën e Diasporës si dhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta.

Ministrat Majko dhe Cannon biseduan për eksperiencat në fushën e Diasporës. Ministri irlandez i shpjegoi Majko projektet e Diasporës në Irlandë, ndërsa Majko e informoi mbi ecurinë në punën me Diasporën Shqiptare. Takimi mes dy Ministrave ishte shume i përzemërt dhe pala irlandeze u shpreh e gatshme të ofrojë ndihmë me eksperiencën e saj.

Gjatë ditës së sotme Ministri gjithashtu pati takime edhe me përfaqësues të organizatës “Ireland Reaching Out” dhe përfaqësues të projektit “Galway Tribal Diaspora Project” ku është njohur më shumë me eksperiencën irlandeze të angazhimit të Diasporës.

Irlanda është një nga vendet me modelin më frytdhënës të angazhimit të diasporës në botë. Nëpërmjet platformës “ConnectIreland”, irlandezët kanë krijuar një qasje më të lehtë për Diasporën e tyre që të ndihmojë tërheqjen e bizneseve të huaja për të investuar në vend.

Top Channel