Dy gjermanë bëjnë “shaka” në Luvër, ngjisin dy piktura me shirit pranë Mona Lizës, por… përfundojnë në komisariat Mbetjet njerëzore të gjetura në një pronë të Vatikanit në Romë mund të jenë çelësi i zgjidhjes së një misteri 35-vjeçar që vazhdon të mundojë vendin fqinj.
Fragmentet e kockave dolën në dritë gjatë punimeve për rikonstruksionin e ambasadës së Selisë së Shenjtë, në afërsi të muzeut të famshëm Villa Borghese. Ekspertët po përpiqen që të përcaktojnë moshën dhe gjininë e personit si dhe datën e vdekjes, por kaq ka mjaftuar ndërkohë që mediat italiane të lëshoheshin në spekulime se eshtrat mund t’i përkasin vajzës adoleshente të një punonjësi të Vatikanit, të zhdukur në vitin 1983.
Rasti i 15-vjeçares Emanuela Orlandi vazhdon të mbetet tejet i diskutuar në Itali. Zhdukja e saj është lidhur gjerësisht ose me krimin e organizuar ose me një përpjekje për të detyruar lirimin nga burgu të Mehmet Ali Agca, shtetasi turk që tentoi të vriste Papa Gjon Palin e dytë në vitin 1981. Vëllai i Emanuelës, Pietro është përpjekur për dekada të tëra që të zbulojë se çfarë ka ndodhur me të. Ai madje e ka akuzuar Vatikanin se ka heshtur mbi fatin e së motrës.
Eshtrat megjithatë mund të jenë edhe të Mirella Gregorit, 15-vjeçares tjetër të zhdukur po në Romë, 40 ditë përpara Orlandit, edhe ajo në kushte mjaft të çuditshme. As rasti i Gregorit nuk u zbardh kurrë. Ajo iu përgjigj citofonit e i tha prindërve se po zbriste të takonte një shok të vjetër shkolle, por nuk u kthye më. Detektivët mendojnë se mund të ketë një lidhje mes këtyre dy rasteve, por për momentin ato vazhdojnë të mbeten të zhytura në mister.
Top Channel