Në Bularat, jetës duket se i është rikthyer qetësia e zakonshme sot. Mjedisi është ai i fshatrave tipikë të minoritetit, ku 90% e popullsisë gjendet në emigracion.
Në shtëpinë e 35-vjeçarit që u vra të dielën vazhdojnë hyrje-daljet për të ngushëlluar familjarët, ndërsa pritet që për ceremoninë e varrimit të mbërrijnë edhe banorët të fshatrave të tjerë të Dropullit.
Banorët u fshihen kamerave dhe televizioneve shqiptare, por nuk janë konfliktualë. Ata që pranojnë të flasin janë të paktë, kujtojnë kohën kur të gjithë ishin në harmoni, por e quajnë padrejtësi vrasjen e Kostandinos Kacifas.
“Unë jetoj në Janinë prej vitesh. Vij këtu disa herë në vit dhe nuk kemi patur kurrë probleme, as midis nesh, as me shqiptarët. Para komunizmit punoja në Bulo, një fshat shqiptar ca kilometra më tutje. Nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë konflikt apo dallim. Ishim të gjithë njësoj, të varfër dhe punëtorë. Me shqiptarët kanë jetuar e jetojnë në harmoni jo vetëm ne, por prindërit dhe gjyshërit tanë. Edhe shqiptarët besoj nuk e kanë pritur mirë vrasjen e djalit të fshatit tonë. Ai mund të kapej dhe të dënohej, por jo të vdiste. Nuk ka rëndësi çfarë je grek apo shqiptar, ishte i ri, ishte njeri i mirë, i thjeshtë dhe punëtor, nuk duhej vrarë”, thotë një grua.
“Ne me shqiptarët kemi jetuar bashkë, kemi kaluar të njëjtat halle, varfërinë dhe diktaturën. Babai i djalit ka punuar gjithë jetën me shqiptarë dhe ka shumë miq. Ishte kryetar kooperative në atë kohë. Edhe djali ishte punëtor, ndihmonte gjithë fshatin, sidomos të moshuarit. Ne nuk e dimë pse qëlloi djali, por dimë që ai ishte vetëm një njeri dhe policia ishin shumë. Ta kishin çuar në burg. Shumë keq që e vranë”, shprehet një banore tjetër.
“Nuk ka vend që nuk ka probleme dhe fjalë dhe gjëra që nuk na pëlqejnë, por armë nuk kishim parë në fshat. Nuk menduam se do ta vrisnin djalin. Ai ishte model, e zbukuroi gjithë fshatin për festë dhe na gëzoi që po nderonte flamujt, dukej shumë në rregull. Në komunizëm nuk ia mbante njeriut të bënte rrëmujë ishim të gjithë nën diktaturë. Më pas njerëzit u ndanë. Ne duam që kjo të mbarojë me qetësi dhe të mos ketë më probleme. Edhe në Greqi pamë në televizor që kanë ndodhur gjëra jo të mira. Ne këtu edhe pas kësaj bashkë do jetojmë shqiptarë e grekë”, thotë një banore.
Në Bularat, pavarësisht rrugëve të zbrazëta dhe qetësisë së rikthyer, tema e ditës vijon të mbetet ngjarja e së dielës së kaluar. Ajo që shumica e banorëve nuk kanë qartësuar ende, janë arsyet që shtynë 35-vjeçarin Kacifas në aktin e rëndë që përfundoi më tej me vdekjen e tij.
Top Channel