Në total janë rreth 1.000 pacientë, të cilëve veshkat u kanë dalë përkohësisht ose përgjithmonë nga funksioni, te të cilët është e nevojshme kryerja e hemodializës tri herë në javë.
Fatmir Muçi, prej 3 vitesh merr këtë shërbim, por rrugëtimi që ndjek për marrjen e ilaçeve ia ndërlikon edhe më shumë gjendjen shëndetësore.
“Ne jemi të pamundur tani të shkojmë te mjeku i familjes, të mbajmë radhë, po do shkojmë te specialisti me planifikim, po do shkojmë te konsulta, pastaj tek ISKSH-ja… e vërdallë e vërdallë. Është një rrugë e gjatë, që mendoj se shteti mund të na i sigurojë këtu ku bëjmë dializën”, tha Fatmir Muçi, pacient.
Veç shmangies së sorollatjeve në marrjen e ilaçeve të rimbursuara, 55-vjeçari kërkon që ilaçi – që ul nivelin e hormonit “parathormon”, që ka predispozitën të rritet gjatë procesit të dializës, norma e të cilët është 100, – të jetë pjesë e listës së ilaçeve të rimbursuara.
“Për mua është një problem shqetësues se po shkon ‘parathormoni’ rreth 2.000 tani, e s’e marr dot, nuk mund ta marr. Pesë tableta kushtojnë rreth 6.000 lekë. Duhet ta marr derisa të rregullohet analiza, norma është 100 e ca. Nga 8.000 lekë që marr unë pension, as për bukë s’më dalin. Nëqoftëse kanë mundësi ta çojnë me rimbursim, që të na ndihmojnë sadopak, se na kanë filluar kyçet e sjellin pasoja të tjera pastaj”, tha më tej pacienti Fatmir Muçi.
Nëse ky ilaç që ul nivelet e “parathormonit” nuk merret, në varësi të vlerave të tij shkakton dhimbje të forta të kockave, të kruajtura të shpeshta, madje mund të ndodhin edhe thyerje të kockave, pasi ato bëhen delikate.
Top Channel