Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë kohë deri në 17 janar për të vendosur se çfarë do bëjnë me dosjen Tahiri-Habilaj. Por ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri nuk ka më kohë për të pritur. Pa u thirrur nga asnjë prej prokurorëve, Tahiri u paraqit vullnetarisht tek Krimet e Rënda, të cilën e ka vizituar shpesh dy vitet e fundit.
Por pa lënë mënjanë edhe avokatin përkrah, Saimir Tahiri mësohet të ketë dorëzuar prova të reja të ardhura nga Italia dhe që vendosin në pozitë të vështirë njerëzit e akuzës. Se çfarë ishin këto prova Saimir Tahiri zgjodhi t’i lërë surprizë.
“Dorëzova një provë që e quaj deçizive për procesin. Kam mbi 1 vit që dëgjoj dhe kam heshtur. prisni edhe pak”, u shpreh ish-ministri
Pavarësisht se prokurorët i zgjatën afatet deri në fillim të 2019 për shkak të veprimeve të mëtejshme hetimore, mbrojtja e ish-ministrit nuk e kundërshtoi këtë veprim në Gjykatë, duke i qëndruar larg përfitimeve procedurale.
Dhe kur duket se për Prokurorinë ka nisur numërimi mbrapsht, për Tahirin sapo ka filluar koha për të qeshur, edhe atëherë kur gazetarët e Gjykatës e pyesin për portalin që ka hapur.
Top Channel