Kampionati anglez i futbollit mbylli javën e tij të 10 me një sfidë spektakolare të luajtur në stadiumin legjendar “Wembley”, ku Tottenhami vendas priti kampionat në fuqi të Premier Leagues, Manchester City-n.
Këta të fundit arritën të marrin një 3-pikësh shumë të vuajtur, falë fitores me rezultatin minimal 0-1, të siguruar që në minutat e para të takimit, pas golit të shënuar nga futbollisti i ardhur janarin e këtij viti nga Leicester, Mahrez.
Skuadra e Guardiolës e nisi me mjaft vrull sfidën dhe arriti të gjejë avantazhin që në minutën e 6’ të sfidës, me anë të fantazistit Rijad Mahrez.
Gjithçka nisi pas një topi të gjatë të dërguar në drejtim të Sterling dhe ky i fundit përfitoi nga vendosja e gabuar e mbrojtësit të londinezëve, Trippier, dribloi atë dhe shërbeu për Mahrez, i cili me portën e boshatisur, e pati të lehtë të dërgojë topin në rrjetë.
Tottenhami u mundua të reagojë, por 2-3 raste sporadike të kapitenit Harry Kane ishin shumë pak për të kërcënuar portën e “qytetarëve”, ndërsa edhe portieri brazilian Ederson u tregua në lartësinë e detyrës, sa herë që u vu në provë.
Nga ana tjetër, skuadra e Guardiolës ishte shumë më e kthjellët dhe e rrjedhshme në lojën e saj gjatë pjesës së parë dhe me pak më tepër kujdes e qetësi, mund të kishte shënuar sërish me Mahrez, që këtë herë gaboi shënjestër.
Pjesa e dytë u luajt nën një ritëm tjetër loje, të diktuar nga skuadra e Tottenhamit, që shfaqi një impenjim dukshëm më të lartë dhe kërkoi me ngulm të shmangë humbjen përballë tifozëve të saj.
Gjithsesi, skuadra e Guardiolës ia doli të mbrohej mjaft mirë, duke limituar rrezikun që vinte nga sulmuesi kundërshtar, Harry Kane, ndërsa në jo pak raste, arriti të kundërsulmojë rrezikshëm, duke iu afruar ndjeshëm golit të dytë.
Vërshëllima e 3-fishtë e gjyqtarit kryesor Friend vulosi triumfin minimal 0-1 të Manchester Cityt, që rimerr edhe njëherë kreun e renditjes, me 26 pikë, aq sa edhe Liverpooli ndjekës, ndërsa Tottenhami zbret në vendin e 5-të, me 21 pikë, një më pak se Arsenali i vendit të katërt.
Top Channel