Ngjarja në Bularat të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë 35-vjeçari Kostandinos Kaçifa pasi qëlloi me armë ndaj policisë, ka ngjallur reagime nga më të ndryshmet. Për hedhur dritë rreth kësaj ngjarje, i ftuar në studion e “Top Talk” ka qenë gazetari Artan Hoxha, sipas të cilit kjo ngjarje nuk ka qenë rastësore, por e organizuar nga qarqe nacionaliste e shoviniste greke.
“Ngjarja nuk ishte e rastësishme. Ata që e patën organizuar skenarin s’patën parashikuar reagimin e forcave policisë. Ndërhyrja e RENEA-s prishi planin e bashkëpunëtorëve të tij”, u shpreh Hoxha që shton se plani i tyre ishte largimi i 35-vjeçarit për në Greqi, duke e kaluar në këmbë kufirin.
Duke përmendur sulme në pikat kufitare shqiptare me Greqinë në vitet 1994 dhe 1995, Artan Hoxha argumenton se sulme të tilla janë të organizuara e përdoren për luftën e brendshme politike greke.
Sipas tij të gjitha provat tregojnë se policinë lokale e ka shpëtuar fati. E njëjta gjë edhe pas ndërhyrjes së forcave RENEA.
Për Hoxhën nuk kemi të bëjmë me një person të thjeshtë, por me një person të përgatitur për të këtë sulm. E kjo dallohet dhe edhe nga arma e tij e modifikuar.
“Arma është e modifikuar, nuk kemi të bëjmë me një person të thjeshtë që ka marrë një armë e ka filluar të qëllojë. Arma e modifikuar edhe me një shënjestër holigrafike për të parë objektivin edhe natën”, u shpreh Hoxha.
Më tej gazetari Artan Hoxha sqaroi se në Bularat nuk kanë shkuar të gjitha forcat e RENEA-s, por vetëm me skuadër që ka udhëtuar me një helikopter.
“Në Bularat nuk ka shkuar e gjithë RENEA, por vetëm një skuadër që ka udhëtuar me 1 helikopter Mi-8, afro 18 efektivë”, u shpreh ai.
Më tej Artan Hoxha ka dhënë edhe detaje nga operacioni, sipas të cilit forcat RENEA janë munduar që ta lodhin 35-vjeçarin Kostandinos Kaçifa, duke i dërguar edhe tre negociatorë për ta bindur që të dorëzohet. Por viktima hapi zjarr edhe ndaj tyre, e ky duket se ka qenë edhe momenti që forcat RENEA janë kundër përgjigjur.
Top Channel