RENEA vret ekstremistin grek. Qëlloi me armë policinë dhe terrorizoi Bularatin në festën e fshatit

28/10/2018 19:28

Kostandinos Kaçifa, 35-vjeçari i cili qëlloi këtë mëngjes mbi policinë në fshatin Bularat, ka humbur jetën pas shkëmbimit të zjarrit për më shumë se një orë me forcat RENEA, në pjesën e sipërme të fshatit. Ai kishte paralajmëruar diçka në rrjetet sociale. Kaçifa njihej si nacionalist në zonë, por nuk jetonte në fshat.

Arqile Deçka, kreu i Bashkisë së Dropullit, shprehet: “Është për t’u habitur. Është një moment i hidhur. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë në bashkinë tonë. Ishte një djalë që jetonte në Greqi. Miqtë e tij me të cilët kishte pirë kafe në darkë thonë që gjithçka ishte normale. Por, në mëngjes qëlloi Policinë e Gjirokastrës e më vonë iku në mal. Kundërshtoi forcat speciale dhe ndodhi ajo që ndodhi”.

Një banor i moshuar deklaroi: “Përse e vranë djalin tonë? Nuk mund ta kishin kapur? Ne kërkojmë drejtësi. Ai meritonte të gjykohej për atë që bëri, jo të vdiste. Ai nuk vrau njeri. Edhe nëse do të vriste njerëz, prapë meritonte të gjykohej për një krim”.

Rreth orës 10:00 të së dielës, kur në Bularat të Dropullit do mbaheshin festimet e përvitshme që përkujtojnë të rënët e luftës italo-greke, ai terrorizoi fshatin. Qëlloi fillimisht në ajër me kallashnikov dhe më pas me breshëri në drejtim të forcave të policisë, që po afroheshin në drejtim të tij për ta neutralizuar, duke vënë në rrezik jetën e dhjetra banorëve, por edhe efektivëve.

Por, fatmirësisht plumbat nuk lënduan njeri, por vetëm një mjet të policisë dhe një banesë të fshatit. Banorët e tmerruar pas kësaj ngjarjeje, thonë se 35-vjeçari kishte disa ditë që kishte ardhur në Bularat. Një ditë më parë ai kishte dekoruar fshatin me flamuj grekë për festën e së dielës, ndërsa banorët dyshojnë që i riu duhet ta ketë planifikuar më parë sulmin.

“Unë i dëgjova të shtënat nga brenda dhe dola. Nuk kuptova kë qëllonte. Ishte si luftë. Akoma na dridhet trupi. Nuk e prisnim fare këtë gjë. Dukej sikur kishte humbur mendjen në moment. Nuk kemi patur kurrë gjëra të tilla”, tregon një banore.

“Ne ishim përgatitur për festë. Nuk e kuptuam pse ndodhi kjo por ishte tmerr. Fat që nuk u vra njeri. Dëgjova që i tha burrave që ishin në oborrin e kafenesë : “futuni brenda”, kaq. Ne e njohim për djalë të mirë e të urtë. Nuk e besoj që e ka bërë këtë”, thotë një tjetër.

Për disa orë Kaçifa u largua në thellësi të fshatit, ndrësa policisë locale I erdhën në ndihmë edhe forcat Renea nga Tirana, qe e lokalizuan në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA