Si çdo vit, edhe sivjet grekët kanë festuar me një paradë madhështore në Selanik 28 Tetorin, ditën kur Greqia iu përgjigj me “Jo” kërkesës së Musolinit në vitin 1940 për të lejuar trupat e Italisë fashiste të pushtonin vendin.

Karakteristikë e kësaj dite që shënon fillimin e luftës italo-greke, një pjesë e mirë e së cilës u zhvillua edhe në territorin shqiptar, ishte pjesëmarrja për herë të parë pas 78 vitesh e një presidenti italian në këtë paradë. I ftuar nga homologu Prokopis Pavlopoulos, Sergio Mattarella ka vendosur në fillim një kurorë me lule pranë “Trupave të Armatës së Tretë” në Selanik dhe më pas ka qëndruar së bashku me Presidentin grek në podiumin e paradës ushtarake në një prej bulevardeve kryesore të qytetit.

Çast tepër simbolik ka qenë momenti kur Pavlopoulos ka dëgjuar përshëndetjen e një piloti grek të një avioni luftarak F16, të cilin e ka falenderuar publikisht duke theksuar se ai dhe Sergio Mattarella falenderojnë gjithë ata pilotë që mbrojnë hapësirën e Greqisë dhe të BE-së.

Pas paradës, edhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka deklaruar duke çuar mesazh tek Ankaraja se “kush guxon të vërë në dyshim sovranitetin kombëtar, do t’i gjejë grekët të bashkuar”.

Mattarella dhe Pavlopoulos kanë nderuar më pas në ishullin Qefaloni të Jonit mijëra ushtarë italianë të divizionit “ACQUI”, që të bllokuar atje, refuzuan të dorëzonin armët dhe u vranë duke luftuar trimërisht në një betejë kundër trupave gjermane, menjëherë pas kapitullimit të Italisë. Ata kanë theksuar vendosmërinë e dy vendeve që të lënë pas të kaluarën dhe të luftojnë kundër të gjitha formave ekstreme të rrezikshme antieuropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA