Portieri spanjoll, David De Gea ka një kontratë që e lidh me Manchester Unitedin deri në verën e ardhshme dhe tentativat për ta zgjatur edhe më tej bashkëpunimin mes palëve, nuk kanë shkuar aspak mirë deri tani.
Këtë e ka pranuar edhe tekniku portugez, Jose Mourinho, i cili u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të bëjnë të pamundurën për të mbajtur në skuadër De Gean.
“Nuk jam besimplotë, nëse De Gea do të rinovojë kontratën me Manchester Unitedin apo jo. Nuk e di çfarë po ndodh dhe për këtë mund të flasë vetëm ndonjë drejtues klubi, apo vetë futbollisti. Ajo që unë, por edhe të gjithë e dinë, janë aftësitë e portierit dhe rëndësia e tij në skuadrën tonë”, deklaroi Mourinho.
Kontrata aktuale favorizon klubin anglez, pasi mund të zgjasë edhe për një vit bashkëpunimin, por drejtuesit e “djajve të kuq” duan ta bindin De Gean të qëndrojë gjatë në “Old Trafford”, dhe jo ta mbajnë me zor për një tjetër sezon.
David De Gea është një nga portierët më të mirë në qarkullim dhe është shfaqur gjithmonë vendimtar me pritjet e tij te Manchester United, por vazhdimisht ka theksuar dëshirën për t’u rikthyer në atdheun e tij, në Spanjë.
Top Channel