Pas dy gabimeve trashanike ndaj Atletico Madrid, De Gea del në mbrojtje të portierit të Tottenham
Pasi dominoi në mënyrë shembullore një kundërshtar si Manchester United, për më tepër brenda në “Old Trafford”, Juventusi i rikthehet kampionatit, ku kalendari i ofron një ekip si Empoli, që nuk fiton një takim që nga java e parë e Serisë A.
Ndeshja do të luhet në Toskanë, në orën 18:00, në stadiumin “Castellani” dhe kampionët në fuqi kanë një rast të shkëlqyer për të marrë fitoren e radhës, për më tepër javën e kaluar, ndonëse kaluan të parët në avantazh, bardhezinjtë u bllokuan brenda në Torino në një barazim 1-1 me Genoan.
Në Angli “Zonja e Vjetër” nuk është se shpenzoi shumë energji dhe ekipi i Allegrit e administroi në mënyrë të shkëlqyer epërsinë, sidoqoftë do të mungojnë Khedira dhe Mandzukic, ndërsa mesfushori Emre Can mbetet në dyshim. Vendasit paraqiten në këtë ndeshje pas barazimit 3-3 me Frosinone-n, megjithatë është e kuptueshme që “të kaltrit” do të bëjnë çmos për të marrë diçka nga ky takim, për të dalë nga kriza dhe rikthyer besimin te tifozët. Ekipi toskan nuk e mposht Juventusin prej afërsisht dy dekadave në kampionat, ndërsa në Kupën e Italisë “vendësit” që u ngjitën sivjet nga Seria B krenohen me një fitore 1-0 11 vjet më parë, pikërisht në këtë stadium.
Juventusi vazhdon të dominojë futbollin në Apenine dhe është e kuptueshme që me diferencat e mëdha që ka me gjithë skuadrat e tjera “Zonja e Vjetër” të bëjë ndryshime në formacion, ku natyrisht spikat rreshtimi i Douglas Costas nga minuta e parë. Për momentin kampionët në fuqi numërojnë 4 pikë më shumë se Napoli dhe 6 më tepër se Interi, gjithsesi me kundërshtarë si Empoli dhe Cagliari në kalendar, duke patur parasysh impenjimet e dy ndjekësve më të afërt me skuadrat romane, pritet që avantazhi në klasifikim të rritet, me synimin e qartë për të përgatitur më pas me qetësi impenjimet ndaj kundërshtarëve të tillë si Manchester United e Milan që shfaqen në horizont, por sidoqoftë me kalimin e javëve duke parë forcën, lirshmërinë në lojë si dhe futbollin vertikal që të gjithë po binden pak e nga pak se “bardhezinjtë” këtë herë i kanë që të gjitha mundësitë për të bërë “tripletën”.
Takimi i mbrëmjes do të luhet në Torino, ndërmjet ekipit “granata” dhe Fiorentinës. Skuadra vjollcë do të tentojë fitoren e dytë radhazi në Stadiumin Olimpik, gjithsesi përballja ndërmjet tyre pritet të jetë vërtet shumë interesante, pasi bëhet fjalë për dy klube të dhjetëshes së parë, që në tabelën e renditjes ndahen nga vetëm një pikë, ndërkaq Java e 10 në kampionatin italian starton herët, më saktë në orën 15:00, kur Atalanta do të presë në “Atleti Azurri” Parmën, që aktualisht ka katër pikë më shumë në klasifikim.
Top Channel