Një grua sulmoi dhe plagosi me thikë 14 fëmijë, në një kopsht të provincës jugperëndimore të Sichuanit në Kinë, këtë të premte.

Autoritetet thonë se agresorja 39-vjeçare përdori një thikë kuzhine për të qëlluar nxënësit, këta teksa ktheheshin për në klasat e tyre, pas stërvitjes së mëngjesit.

Pamjet e publikuara nga mediet “online” tregojnë fëmijët me rroba të gjakosura, disa prej të cilëve edhe me prerje të shkaktuara nga thika në fytyrat e tyre.

Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmijët u transportuan për trajtim mjekësor në spital. Gruaja që ndërmori sulmin është arrestuar, ndërsa hetimet për të mësuar arsyet e këtij sulmi vazhdojnë.

Sulmi ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit me orën lokale. Në fakt, sulmet me thika ndaj nxënësve të shkollave nuk janë të pazakonta në Kinë, aty ku gjatë viteve të fundit janë regjistruar disa raste incidentesh me pasojë vdekjen.

Top Channel