“Qeveria po monitoron me vëmendje bankat e Italisë dhe për momentin, situata është nën kontroll”, tha zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht kreu i lëvizjes “ Yjet”, Luigi Di Maio të enjten.

Në një konferencë për shtyp, ai u tha gazetarëve në Romë se qeveria ishte “e vëmendshme dhe vigjilente” ndaj bankave, mes shqetësimeve që huadhënësit më të dobët po “stresohen” për shkak të rritjes së yield-eve në zotërimet e tyre, në obligacione të qeverisë italiane.

Luigi Di Maio tha gjithashtu se nëse ndonjë rikapitalizim i bankave do të jetë i nevojshëm, atëherë mund të bëhet në shumë mënyra, por pa preferuar të japë detaje të tjera mbi këtë plan rezervë.

Obligacionet e qeverisë italiane janë goditur rëndë kohët e fundit, për shkak të përplasjeve të Romës zyrtare me Komisionin Europian, në lidhje me projekt buxhetin e vitit 2019, të cilin KE e refuzoi me arsyetimin se shkel rëndë rregullat e politikave fiskale të BE-së.

Top Channel