Putin akuzon SHBA dhe kërcënon: Sulmojmë Europën nëse pranon raketa amerikane

25/10/2018 09:23

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi gjatë së mërkurës për një garë të re armatimesh, nëse Amerika tërhiqet nga traktati i armëve bërthamore, e shtoi madje se Rusia do të përgjigjet “në të njëjtën natyrë” ndaj çdo rakete të re amerikane të vendosur në territorin e Europës.

Gjatë fundjavës së kaluar, presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi shqetësim global, kur tha se mund ta anulojë një traktat mbi armët bërthamore të nënshkruar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, të ashtuquajturën “INF” gati tridekadëshe që ndalon prodhimin e raketave me rreze të mesme veprimi dhe mbushje bërthamore.

Duke folur pas takimit me këshilltarin e Trumpit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, të cilin e priti gjatë së martës, Putin paralajmëroi se braktisja e traktatit dhe dështimi për të zgjatur një tjetër marrëveshje kyçe mbi kontrollin e armëve, të njohur si “New START” (Fillimi i ri), do të shkaktonte kështu një garë të re armatimesh dhe do ta vendoste Europën në rrezik.

Putin tha se zhbërja e një sistemi global të kontrollit të armëve ishte “tejet i rrezikshëm”, duke shtuar se Rusia është e shqetësuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur tashmë traktatin kundër raketave balistike, po mendojnë të tërhiqen nga “INF”-ja, ndërsa e ardhmja e “New START” mbetet e paqartë.

“Nuk mbetet gjë tjetër veçse një garë e re armatimesh”, tha ai në një konferencë për shtyp pas diskutimeve me kryeministrin italian, Giuseppe Conte.

Presidenti rus tha se, nëse Uashingtoni shkon drejt braktisjes së “INF”-së dhe transferon më shumë raketa në Europë, atëherë Rusia do të përgjigjej “në të njëjtën mënyrë”.

“A do të mund të përgjigjemi ne? – pyeti ai. – Po, do të përgjigjemi dhe do të jetë diçka shumë e shpejtë dhe efektive”.

Putin shtoi se çdo vend europian që do të pranojë të strehojë raketa amerikane do të vihet përballë rrezikut të një sulmi rus. “Këto janë gjëra të qarta”, tha udhëheqësi rus. “Do të ktheheshim edhe njëherë në situatë të ngjashme me raketat Pershing në Europë”, shtoi ai, duke iu referuar raketave amerikane të dislokuara në Europën Perëndimore në vitet ’80.

Putin deklaroi gjithsesi se, nuk sheh asnjë arsye për ta vendosur Europën përballë rrezikut, ndaj akuzoi Shtetet e Bashkuara se po shkel traktatin “INF”.

Megjithatë, Putin dhe Trump do të marrin pjesë në një ngjarje në Paris, më 11 nëntor, që do të shënojë përkujtimin e 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore. Kremlini tha të mërkurën se është i gatshëm të diskutojë mbi mundësinë e një samiti mes Putinit dhe Trumpit në Uashington, vitin e ardhshëm.

Top Channel