Milani pësoi humbjen e dytë në pak ditë, teksa u mposht nga Betis në “San Siro” në ndeshjen e vlefshme për grupet e Ligës së Europës, vetëm 4 ditë pasi u dorëzua në sekondat e fundit ndaj Interit, në derbin e Madoninnës.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Genaro Gattuso pranoi se skuadra e tij ka humbur busullën, duke evidentuar edhe problemet që e kanë karakterizuar në këto dy sfida të dështuara.
“Kemi humbur busullën dhe pikat tona të forta. Vuajmë të kontrollojmë topin dhe shfaqim shumë frikë. Në vend që të shohim përpara, kthehemi gjithmonë pas dhe për më tepër, thyhemi shumë lehtë në mbrojtje. Betis nuk vodhi asgjë dhe për më tepër, mund të shkonte edhe më keq”, deklaroi Gattuso pas ndeshjes.
E ardhmja e tij te Milani është vënë në dyshim që pas derbit, ndërsa zërat për një largim të mundshëm janë shtuar edhe më shumë pas kësaj sfide. Vetë Gattuso pranon se është e drejtë të ngrihen pikëpyetje, por thekson se tani është përqendruar për të gjetur zgjidhje për skuadrën, me qëllim që të dalë nga kjo situatë.
“Duhet të punojmë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe për të lënë pas këtë situatë. Kemi ndryshuar disa herë modulin gjatë lojës, por sërish nuk ka funksionuar dhe për mua nuk është çështje skeme, megjithatë jam i hapur edhe për këtë diskutim. Problemi ynë më i madh është mungesa e personalitetit dhe fakti që luajmë me frikë”, tha trajneri i Milanit.
Top Channel