Dy prej figurave më të larta të demokratëve në Kongresin amerikan akuzuan mbrëmjen e së mërkurës presidentin Donald Trump se po ndez flakët e trazirave politike dhe po përçan amerikanët, teksa tensionet janë rritur ndjeshëm në ditën kur një sërë pakosh-bombë u dërguan në adresë të disa prej personaliteteve më të shquara të demokratëve.

“Sërish, presidenti ka falur dhunën fizike dhe përçau amerikanët me fjalët dhe veprat e tij”, shprehen udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, si dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, në një deklaratë të përbashkët.

Përmes saj, Pelosi e Schumer iu referuan shprehjes së mbështetjes nga Trump ndaj pjesëmarrësve në tubime që përfshihen në akte dhune me protestuesit, e gjithashtu edhe përkufizimit të shtypit si “armik i popullit”.

Trump, teksa foli mbi kërcënimet në më pak se dy javë nga zgjedhjet e mesmandatit, tha se aktet e dhunës politike “nuk kanë vend në SHBA”, por Pelosi dhe Schumer deklaruan se fjalët e presidentit “tingëllojnë boshe për sa kohë nuk ndryshon deklaratat e tij që falin aktet e dhunshme”.

Presidenti Trump bëri thirrje për unitet të mërkurën, pasi disa pajisje të dyshuara shpërthyese u dërguan drejt disa prej demokratëve më të lartë, përfshi ish-presidentin Obama, apo edhe ish-rivalen e tij Hillary Clinton.

“Dua të them se, në këto kohë duhet të bashkohemi dhe të dërgojmë një mesazh tepër të qartë dhe të fuqishëm, se aktet e dhunës politike të çfarëdolloji nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Të mërkurën reagoi edhe Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump, e cila denoncoi si “sulme frikacakësh” serinë e bombave tub të dërguara ndaj Obamës, demokratëve të tjerë dhe CNN-it, që të gjithë “figura të urryera” nga mbështetësit e Trumpit.

“Ne nuk mund t’i tolerojmë të tilla sulme frikacakësh, ndaj unë dënoj fuqishëm të gjithë ata që zgjedhin dhunën”, tha Melania Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, dedikuar krizës së opioideve.

Top Channel