Një gjykatë apeli në Francë vendosi këtë të enjte të lërë në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët, se ish-presidenti Nicolas Sarkozy duhet të gjykohet mbi akuzat për financim të paligjshëm të fushatës së tij të dështuar presidenciale të vitit 2012.

Sarkozy, 63 vjeç, do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Kasacionit, gjykata më e lartë apeluese e Francës, sipas deklaratave të avokatëve të tij mbrojtës. Ky është vetëm njëri nga disa hetimet që kanë ndjekur politikanin e së djathtës që kur u largua nga “Élysée”-ja.

Teksa la në fuqi vendimin e vitit të kaluar të një gjykatësi, për ta ulur Sarkozynë në bankën e të akuzuarve, Gjykata e Apelit në Paris refuzoi argumentet e ekipit të tij ligjor që kërkonte të shmangte një gjykim potencialisht të turpshëm dhe të hidhur publik, sikurse edhe një dënim prej një viti burgim e shumta, nëse shpallet fajtor.

Prokurorët pretendojnë se Sarkozy shpenzoi afro 43 milionë euro në përpjekjen e tij lukzoze për t’u rizgjedhur president, thuajse dyfishi i limit ligjor prej 22.5 milionë euro, përmes faturave të falsifikuara.

Sarkozy i ka denoncuar me zemërim akuzat, duke u shprehur se nuk ka qenë në dijeni të mashtrimeve nga drejtuesit e firmës së marrëdhënieve publike “Bygmalion”, të cilët përballen gjithashtu me drejtësinë së bashku me kontabilistët dhe ish-zyrtarë të partisë së tij UMP.

Ekipi i tij i mbrojtjes ka argumentuar gjithashtu se politikani është dënuar tashmë për tejkalim të shpenzimeve për fushatë nga Këshilli Konstitucionalist i Francës në vitin 2013. Por, ky vendim në fakt kishte të bënte vetëm me 364 mijë euro shpenzime të tepërta, e u dha përpara se të zbulohej çështja “Bygmalion” dhe faturat e rreme. Drejtues të “Bygmalion”, sikurse edhe Jerome Lavrilleux, ish-zv.menaxher i fushatës së Sarkozysë në vitin 2012, kanë pasur dijeni mbi ekzistencën e mashtrimit dhe llogarive false.

Top Channel