Zubin Potoku, një komunë me popullsi serbe, është njëra nga zonat ku ekipi i Top Story dokumentoi me pamje filmike, mungesën e sigurisë, dhe institucioneve.
Kjo komunë shtrihet tërësisht në territorin e Republikës së Kosovës, megjithatë shteti i Kosovës këtu duket i pafuqishëm, pasi që në hyrje të saj shihen makina pa targa, dyqane që nuk lëshojnë asnjë kupon tatimor, flamuj serbë…bëhet një jetë thuajse ilegale, pa asnjë kontroll institucional. Madje prania e makinës së Top Channel në këtë zonë, prishi qetësinë e banorëve serbë, të cilët provokuan shpesh me makinat e tyre pa targa.
Për shkak të mungesës së kontrollit total të territorit, në këtë zonë thuhet se fshihen disa nga kriminelët më të rrezikshëm të regjimit të Millosheviçit. Beogradi zyrtar, dërgon mbi 300 milion euro në vit për të financuar strukturat paralele në Zubin Potok dhe në disa zona të tjera si: Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.
Filmimet e Top Channel në Liqenin e Ujmanit, krijuan tensione tek banorët e komunitetit serbë, pasi në një distancë të largët qëlluan me armë.
Një patrullë e Policisë, e përbërë nga disa serbë dhe një kosovar, u afrua pranë makinës së Top Channel. Ata i thanë ekipit të Top Storyt, se duhet të largoheshin menjëherë nga Liqeni i Ujmanit, pasi mund të rrezikonin jetën.
Top Channel