Uragani “Willa”, një stuhi e cilësuar nga parashikuesit e motit si kërcënuese për jetën dhe me gjasa edhe katastrofike, ka prekur tokën në Meksikën perëndimore.

Aktualisht, ajo është një stuhi e kategorisë së tretë dhe erërat kapin shpejtësinë e 195 km në orë.

Qendra Kombëtare e Uraganeve ka këshilluar banorët e zonave, që ajo do të prekë, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Më herët këtë muaj, zona të gjera të Shteteve të Bashkuara u shkatërruan nga uragani “Michael”, që u mori jetën të paktën 27 personave.

Një paralajmërim për uragan është në fuqi në zonat bregdetare nga San Blas, në qytetin turistik të Mazatlanit dhe ishujt Marias.

Qendra Kombëtare e Uraganëve në SHBA njofton se stuhia pritet të dobësohet shpejt pas prekjes së tokës, por ka paralajmëruar gjithashtu se mund të shkaktojë përmbytje dhe rrëshqitje të mëdha dheu.

Në Mazatlan, një zonë turistike e shumëfrekuentuar, banorët kanë siguruar rezerva ushqimesh dhe uji që para mbërritjes së uraganit. Në qytetin e afërt Escuinapa, njerëzit janë mbledhur në qendrat e hapura nga autoritetet.

Uragani “Michael”, që preku tokën më 10 tetor, ishte stuhia më e fuqishme që ka goditur ndonjëherë Floridën veriperëndimore. Banorët e Mexico Beach, një nga zonat e prekura më rëndë, flisnin pas kalimit të tij për një zonë lufte.

Top Channel