Deputeti socialist, Ervin Bushati i propozoi parlamentit një nen në projektligjin për mbylljen e basteve, i cili e kalon organizmin e lojërave të fatit në përgjegjësi të shtetit. Zoti Bushati sqaron për Top Channel se kjo nuk do të thotë domosdoshmërish krijimin e një monopoli shtetëror, por një rritje e kontrollit mbi këtë industri.
I pyetur nëse ky organizim shtetëror do të bëhet përmes një kompanie apo strukture shtetërore, Bushati u përgjigj: “Jo nuk është e thënë, jo fare nuk ka të bëjë as me struktura as me shteti ta marri, ta shtetëzojë, jo fare nuk është kjo. Do të jete roli i shtetit shumë më definitiv dhe më kontrollues dhe më menaxhues. Patjetër, shteti jep licenca, shteti i kontrollon, pse jo ka dhe raste në botë ku shteti është aksioner me lotari të ndryshme me kazino si në Gjermani apo Francë ku shteti shërben si shtyllë definitive standardizimi dhe sigurie”.
Në fakt do të jetë Ministria e Financave ajo që duhet të përgatisë një projektligj të ri për lojërat e fatit dhe mënyrën e organizimit të tyre, dhe krijimi monopoli shtetëror përmendet si një mundësi në relacionin e projektligjit që mbyll pikat e basteve.
Ervin Bushati thotë po ashtu se të vetmet resorte me 5 yje që do të lejohen kazinotë do të jenë ato që administrohen nga kompani të njohura të hotelerisë ndërkombëtare.
“Të vetmet ato ku do të lejohen kazinotë do të jenë në hotele me 5 yje të njohura ndërkombëtarisht, sot po dorëzoj një amendim tjetër ku hotelet me 5 yje do jenë vetëm ato që janë brand-name, pra ndërkombëtarisht të njohura si të tilla, në resorte turistike”, sqaroi Bushati.
Përveç Bushatit edhe Erion Braçe do të bëjë një propozim për lojërat e fatit duke kërkuar rritjen e tatim fitimit nga 15% në 30%.
Top Channel