Pol Rajan, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuese në SHBA, ka thënë se “në SHBA, kushtet në të cilat ke lindur nuk përcaktojnë të ardhmen e jetës. Prandaj Amerika është kaq madhështore.”
Ideja që çdo i lindur në Amerikë ka mundësi të barabarta për të pasur një jetë të mirë, është e rreme. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk është i vetmi që e nënvlerëson rëndësinë e fatit që në lindje. Pikëpamja e tij është në fakt e përhapur gjerësisht në të gjithë vendin. Dhe kjo është një nga arsyet se pse debatet për taksat janë kaq të ashpra në Amerikë.
Prindërit më të pasur kanë mundësinë t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe kolegje më të mira, si dhe mund t’u mbulojnë pagesat për banesa të përshtatshme dhe shpenzime të tjera. Për këtë e për shumë arsye të tjera, pasuria e familjes në të cilën lind një fëmijë është shumë domethënëse për të ardhmen, dhe sidomos në Amerikë. Mile Corak i Universitetit të Otavës thotë se vetëm duke parë rrogat e prindërve, është e mundur të parashikohet me 50% saktësi se sa do të jetë rroga e fëmijëve. Kjo saktësi është 20% në vende si Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka. Në Amerikë, më shumë se gjysma e fëmijëve të lindur në familje që kanë të ardhurat më të larta (10, në një shkallë nga 1 në 10), nuk do të zbresin më shumë se vendi i tetë. Ata që lindin në fashën e fundit (1, në të njëjtën shkallë nga 1 në 10), nuk do të rriten dot më shumë se shkalla 3.
Në një perspektivë më të gjerë, roli i familjes në të cilën ke lindur duket edhe më i rëndësishëm. Branko Milanovic, një ekonomist, sugjeron se dy të tretat e shpërndarjes së pasurisë në shkallë botërore mund të shpjegohen vetëm duke parë se ku jetojnë njerëzit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, konsumi mesatar i 10%-shes së të pasurve të Tanzanisë ishte 173 dollarë në muaj, për kokë. Në Amerikë, më të varfrit shpenzojnë 226 dollarë në muaj. Dhe në Tanzani ai nivel nuk është sepse njerëzit bënë zgjedhje të gabuara në jetë, por thjesht sepse jetojnë në një vend të varfër. Të lindësh në Amerikë vlen më shumë, sepse do të thotë që ke fituar lotarinë e vendit ku ke lindur.
Megjithatë, shumica e Amerikanëve nuk e shohin kështu. Sondazhet kanë treguar se 57% e Amerikanëve nuk janë dakord me idenë që suksesi në jetë varet nga forca që nuk janë nën kontrollin tënd. Kjo është mbi mesataren botërore. Në Gjermani, ky numër është 31%.
Kolegët e Rajanit kanë pak a shumë të njëjtat mendime për meritokracinë e Amerikës. Benxhamin Njuman, profesor shkencash politike te Universiteti i Konektikatit, ka zbuluar nga sondazhet se t pasurit në Amerikë janë më të prirur që të kenë besim te meritokracia, ndërsa të varfrit theksojnë më shumë rolin e fatit. Të ardhurat mesatare të një anëtari të kongresit amerikan, në vitin 2013, kanë qenë 1 milionë dollarë në vit. Të ardhurat mestare për çdo familje në SHBA janë rreth 56 mijë dollarë në vit.
Ka modifikime ligjore që mund ta ulin pabarazinë e mundësive në lindje. Një prej tyre është vendosja e taksave. Evelin Huber, studiuese për shkenca politike te Universiteti i Karolinës së Veriut, vëzhgoi shpërndarjen e të ardhurave mes 1%-ëshit në vendet e pasura, nga viti 1960 e deri në vitin 2012. Rritja e taksave e ul shpërndarjen e të ardhurave. Rritja e taksave ul pabarazinë, dhe ulja e pabarazisë lë pas një pabarazi edhe më të ulët.
Por Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk duket se janë të orientuar në të drejtim. Më 6 Shtator, Presidenti Donald Trump njoftoi në Twitter se do të diskutonte uljen e taksave në Dakota. “Ne jemi vendi me taksat më të larta në botë. Kjo do të ndryshojë”, tha ai.
Në fakt, mes vendeve më të pasura, Amerika ka më pak të ardhura nga taksat, vetëm 26.4% të PBB, që e rendit të pestën nga fundi. Mesatarja është 34.4% dhe në vende me më pak pabarazi, si Suedia dhe Danimarka, është mbi 40%. Derisa ligjvënësit në Uashington të pranojnë se shumicën e të ardhurave e kanë falë vendit se ku kanë lindur, ideja se taksat janë shumë të larta ka për të vazhduar të mbizotërojë. Dhe kjo do ta shtojë pabarazinë edhe më shumë.
The Economist
Top Channel