Ekipi i Top Story udhëtoi në Graçanicë, për të takuar një ish zyrtar serb në qeverinë që dikur drejtohej nga Hashim Thaçi. Ky është Nenad Rashiç, i cili ka shërbyer 8 vjet si Ministër dhe deputet në qeverinë e Thaçit, ndërsa sot ai drejton një Parti që përfaqëson serbët e Jugut.

Ai di të flasë një shqipe të kuptueshme, dhe këtë na e shpjegon se ku e ka mësuar.

“E kam mësuar gjuhën shqipe duke punuar në Coca Cola me shqiptarë”, thotë Rashiç

Rashiç është një serb që punon çdo ditë me shqiptarët e Kosovës. Ai thotë se nuk ka dallime mes tyre. Por qëndrimet e tij, e kanë penalizuar rëndë, në raport me Beogradin zyrtar. Rashiç e quajnë tradhtar të serbëve, të pabesë dhe që punon për interesat e Prishtinës.

Ndryshe nga serbët e Veriut që nuk i njohin institucionet e Prishtinës, në jug të Kosovës ka një pakicë të serbëve që janë pothuajse të mohuar nga Beogradi dhe presidenti Vuçiç.

“Ne kemi 2 fytyra të Beogradit, një zyrtar dhe një jozyrtar dhe më kanë sulmuar fort”, – Thotë Rashiç.

Rashiç është kundër presidentit Vuçiç, për bashkimin e veriut me Serbinë. As Ujmani dhe as Trepça, nuk duhet të jenë shkak për ndarjen e Veriut.

Top Story e pyet ish – zyrtarin serb, për idenë e re, atë të korrigjimit të kufijve, debat ky i ndezur nga kryeministrat Vuçiç dhe Thaçi.

“Gjuha e trupit që unë shoh tek Vucic-Thaci më duket se ata kanë një marrëveshje mes tyre për korrigjim kufijsh”, – tha Rashiç.

Rashiç, flet edhe për gjendjen në Veri të Kosovës. Sipas tij, atje ka një vakum ligjor dhe për këtë, fajtor janë ndërkombëtarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA