Burime diplomatike konfirmuan për Top Channel se Greqia është zmbrapsur disi nga pozicioni i saj për zgjerimin e ujërave të veta territoriale me 12 milje.

Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura mbrëmjen e së martës, mes Tsiprasit, stafit të lartë politik të Ministrisë së Jashtme dhe diplomatëve të lartë në Athinë, është vendosur që përpara se kryeministri t’i kërkojë presidentit firmosjen e dekretit, të informohen fillimisht krerët e partive parlamentare dhe të ketë konsultime me kreun e shtetit.

Kjo i siguron Athinës pak më shumë kohë në dispozicion për ta peshuar mirë vendimin, që – siç mësohet – ka shqetësuar përveç Turqisë edhe Shtetet e Bashkuara.

Tërheqja greke vjen pas reagimit të ashpër të Ankarasë. Turqia nuk vonoi të tregonte muskujt dhe përmes ministrit të Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, e bëri të qartë se, ndonëse nuk e dëshiron përplasjen, nuk i druhet aspak asaj.

“Ankaraja – u shpreh ai, – nuk do të lejojë zgjerim të ujërave greke në asnjë pjesë të detit, as në Jon dhe as në Egje. Ne nuk duam tensione, por nëse Athina përpiqet të na provokojë, do të reagojmë në mënyrën e duhur e do t’i ndalim”.

Disa ditë më parë, gjatë ceremonisë ku dorëzoi zyrtarisht detyrën e tij, të marrë tashmë përsipër nga vet shefi i ekzekutivit, Alexis Tsipras, kreu i dorëhequr i diplomacisë greke, Nikos Kotzias lëshoi shashkën e radhës me pohimin se, Greqia është gati të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje detare, nga ishulli Otonos e deri në Kythira, e në vazhdim deri në përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin.

Si njeriu i shndërruar në figurën kyçe të bisedimeve me Shqipërinë për marrëveshjen e kufirit detar, Kotzias shkaktoi dallgë që mbërritën deri këtu te ne me vendimin e largimit, pranimin e ekzistencës së fondit sekret për lobim në favor të interesave të Athinës në Shqipëri e Maqedoni, si dhe planin e zgjerimit të ujërave kombëtare.

Por, pavarësisht reagimit që shkaktuan të tilla pohime në radhët e opinionit publik, Tirana zyrtare u mjaftua duke e cilësuar këtë “një lëvizje legjitime të vendit fqinj”.

Top Channel