Në Rijad ndërkohë ka nisur Konferenca për Investimet e së Ardhmes

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka premtuar se do të zbulojë “të vërtetën lakuriqe” për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në Konsullatën saudite në Stamboll.

Erdogan, që sidoqoftë nuk ka fajësuar sauditët, do të flasë para anëtarëve të Partisë së tij në pushtet, Drejtësi dhe Zhvillim.

Zyrtarët turq kanë thënë se kanë prova që tregojnë se Khashoggi është vrarë në konsullatë më 2 tetor. Pas javësh të tëra raportesh konfliktuale, sauditët thonë tani se ai është vrarë në një operacion të shkuar keq.

Fjalimi i Erdoganit koincidon me fillimin e një konference investimesh në Arabinë Saudite, që është lënë në hije nga rasti “Khashoggi” dhe që dhjetëra qeveri apo krerë biznesi e kanë bojkotuar.

Vet Amerika nuk e ka bërë këtë, me Sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin që ndodhet në Rijad për këtë konferencë, ndërsa ka takuar edhe trashëgimtarin e fronit saudit, Mohammed bin Salman në kryeqytetin e Arabisë. Në takimin me dyer të mbyllura, një zëdhënës i Departamentit të Thesarit ka thënë se Mnuchin dhe Salman kanë diskutuar çështje ekonomike dhe ato të antiterrorizmit, si dhe për vdekjen e Khashoggit.

Mediet shtetërore saudite kanë raportuar se ata kanë përmendur “rëndësinë e partneritetit strategjik Arabi Saudite-SHBA”. Sauditët kanë thënë se kanë arrestuar 18 persona, kanë shkarkuar dy ndihmës të princit Salman dhe kanë krijuar një komision nën udhëheqjen e tij, për të reformuar Agjencinë e Inteligjencës pas vrasjes së Khashoggit.

Top Channel