Një muze amerikan ka hequr nga ekspozimi fragmente të asaj që besohej se ishin pjesë të shkrimeve të Detit të Vdekur, pasi testet treguan se ato ishin false.

Muzeu i Biblës në Uashington dërgoi 5 nga 16 fragmentet e tij për analiza në Gjermani. Por, “rezultatet treguan karakteristika që nuk përputhen me origjinën e lashtë”, njoftoi muzeu.

Pasi kushtoi 600 milionë dollarë, muzeu u hap nga miliarderi evangjelist Steve Green në vitin 2017.

Shkrimet e Detit të Vdekur janë një seri dorëshkrimesh të lashta të Biblës hebreje. Shkrimet e para u gjetën në shpella, në Qumran, në bregun perëndimor të Detit të Vdekur në vitin 1947.

Ato raportohet se u zbuluan nga një bari i ri, beduin, që po kërkonte delet e tij të humbura. Testet u urdhëruan pasi disa studiues të Biblës, që ekzaminuan 13 nga fragmentet e muzeut që më parë nuk ishte shqyrtuar, thanë se kishte shumë gjasa që një numër prej tyre të ishin falsifikime moderne.

Drejtuesit e muzeut thanë se kishin shpresuar që testimi të nxirrte rezultate të tjera, sidoqoftë, kjo sipas tyre është një mundësi për të edukuar publikun mbi rëndësinë e verifikimit të autenticitetit të artifakteve të rralla biblike, procesin testues dhe angazhimin për të qenë transparent.

Kjo, sidoqoftë, nuk është hera e parë që pronarët e muzeut përballen me telashe. Vitin e shkuar, kompania e Green pagoi 3 milionë dollarë gjobë dhe ktheu me mijëra sende, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë e akuzoi atë se kishte kontrabanduar artefakte nga Iraku.

Top Channel