Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader u dënua me dy vjet e gjysmë burg të hënën për marrjen e ryshfetit gjatë luftës së viteve 1991-95, nga banka e atëhershme “Hypo Alpe Adria” e Austrisë.
Sanader, i cili ka hedhur poshtë procedurat si të motivuara politikisht, nuk ishte marrë në paraburgim dhe u largua nga gjykata pa dhënë një deklaratë. Avokatja e tij, Jadranka Slokoviç, tha se kishte kaluar tashmë më gjatë se ajo periudhë në paraburgim dhe se do të apelonte çështjen.
Gjykatësi tha se Sanader mori nga banka 3.6 milionë kuna (556.156,34 dollarë) kur ishte zëvendës ministër i jashtëm, ndërsa më pas hapi rrugën që Kroacia të marr hua te banka për të blerë ndërtesa për ambasadat dhe konsullatat.
Sanader, i cili u bë kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2009, fillimisht ishte dënuar dhe burgosur për rastin në vitin 2012, por vendimi ishte rrëzuar pasi tre vjet më parë Gjykata Kushtetuese tha se atij i ishte mohuar një gjykim i drejtë.
Në fund të rigjykimit të tij të hënën, gjykata urdhëroi Sanader të paguajë ryshfetin ndaj shtetit. Në një rigjykim tjetër, të vendosur të fillojë sot, Sanader është akuzuar për marrjen e ryshfetit nga grupi hungarez i energjisë MOL në vitin 2008, për të lejuar atë të marrë një pozitë dominuese në firmën INA të Kroacisë për energji.
Top Channel