Fiks fare denoncoi veprimet e një prokurori, i cili është përmendur nga një përgjim për një ryshfet prej 500 mijë lekësh, që të mos hetonte organizatoren e një grabitje. Dhe, pas muajsh të tërë hetimesh, organizatorja nuk është hetuar nga prokuroria, por vetëm nga oficeri i policisë gjyqësore. Ky i fundit, në biseda me qytetaren, por edhe me shkresa, i kërkon herë pas here prokurorit që ta marrë të pandehur, por kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh nga prokurori.
Në Fiks fare u ankua zonja Floresha Kalemaj nga Fieri, e cila tha se në vitin 2017 i kanë grabitur biznesin e saj, një farmaci bujqësore në Levan. I kanë marrë 100 milionë, 10 mijë euro dhe një automjet tip Benz Mercedez.
Hetimet janë ndjekur nga prokurori Dorian Tafili. Pas disa muajsh hetimesh, u arrestuan dy persona Roland Latifi dhe Xhuliano Muça, në baze dhe të përgjimeve. Ata janë në burg dhe nga ai moment, prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim në dosje, me pretendimin se duhet të vijnë përgjigjet nga SHBA, pas një letër porosie të dërguar për komunikimet në rrjetet sociale. Ankuesja ka marrë dosjen e plotë nga gjykata, ku rezulton se dy të arrestuarit bisedojnë shpeshherë me motrën e njërit prej tyre. Në përgjime është marrë në përgjim edhe kjo shtetase, e cila rezulton se ka shumë biseda, ku në një prej tyre flet se do paguante 500 mijë lekë te prokurori. Madje, kjo shtetase flet edhe me të atin, se ku do i çonin thasët (me lekë).
Ndërkohë, Floresha Kalemaj tha se, duke iu referuar përgjimeve që ka bërë policia për grabitjen, e motra e të arrestuarit flet në telefon edhe me punonjës policie, madje janë takuar. Sipas saj, Pëllumb Davidhi, i cili ka hetuar grabitjen, i ka dërguar një relacion prokurorit Dorian Tafili, se kjo shtetase, krahas bashkëpunimit në vjedhje, ushtron dhe prostitucion. Megjithëse shkresa ka shkuar disa muaj më parë në prokurori, prokurori nuk ka bërë asnjë veprim. Qytetarja thotë se ka komunikuar me mesazhe me prokurorin që në muajin prill 2018, i cili i ka thënë se çështja është gati dhe se organizatorja ushtron edhe prostitucion. “Nga këto përgjimet del ajo B. që ushtron prostitucion. Na duhet dhe 2 javë kohë ta kopsitim” i shkruan prokurori qytetares. Por, deri me sot nuk është bërë asnjë veprim, pasi sipas ankueses, prokurori është paguar. Ndërkohë, në një bisedë, oficeri i policisë i thotë qytetares se për të, që ndoqi nga fillimi çështjen, qytetarja është bashkëpunëtore.
Në dosjen hetimore të grabitjes në Fier, janë dhjetëra fashikuj me përgjime. Janë transkriptuar biseda mes autorëve si dhe biseda mes motrës së njërit prej të arrestuarve me punonjës të ndryshëm të Policisë së Fierit. Në këto biseda, ajo u ofron këtyre punonjësve shërbime seksuale. Fiks Fare pyeti në Drejtorinë e Policisë së Fierit për këto përgjime, ku mësoi se disa punonjës policie janë transferuar me detyra të tjera.
Qytetarja takon OPGJ, Pëllumb Davidhi
Qytetarja – Doja të takoja pak Pëllumbin (Oficeri i Policisë Gjyqësore).
Sportelistja – Si e ke emrin?
Qytetarja – Floresha Kalemaj.
Qytetarja – O Pëllumb si ke qenë, ça po bën mirë?
Oficeri i policisë – Hajde, mirë. Si dukesh?
Qytetarja – Po çka, po për mbylljen e atyre hetimeve që thotë prokurori, thjesht erdha të më japësh një mendim, se po pritem me vendim gjykate e-mailet e Amerikës dhe ata mund të fundosen më shumë me ato e-maile.
Oficeri i policisë – Ato e-mailet janë nisur me vendim gjykate.
Qytetarja – Po, kanë vlerë.
Oficeri i policisë – Që kanë vlerën e tyre. Domethënë, se ne nuk e dimë ça do ketë aty, mund të dalin gjëra të reja, mund të dalin njerëz të tjerë të përfshirë.
Qytetarja – Po.
Oficeri i policisë – Është bërë një punë aq voluminoze, se kemi shumë ngjarje në ndjekje. Ajo çështje është ngjarje shumë e rëndë, nuk diskutohet, se ju ka shkatërruar jetën.
Qytetarja – Tani kjo me prostitucion del dhe mesazhin ma ka dërguar prokurori që ajo në përgjime del me prostitucion, është vepër penale.
Oficeri i policisë – Përsa i përket kësaj të prostitucionit, di që prokurori e ka çuar te trafiqet, për ta ndjekur dhe për ta plotësuar si hetim. Kemi arritur në autorë dhe nuk dihet ku do përfundojmë. Mund të përfundojmë edhe me gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë, mund të gjejmë edhe vendndodhjen e makinës. Dakord?
Qytetarja – Faleminderit, nga ana jote nuk kam asnjë vërejtje.
Qytetarja shkon në prokurorinë e Fierit, prokurori i çështjes nuk e takon
Qytetarja – Mirë je?
Sportelistja – Mirë!
Qytetarja – Mund të bësh një telefon, a është Doriani? Mund ta takoj një çikë sot, të më lërë një takim.
Sportelistja – Pse me Dorianin e ke ti?
Qytetarja – Eeee
Sportelistja – Ja t’i them. Emrin?
Qytetarja – Floresha Kalemaj.
Sportelistja – (komunikon me prokurorin Dorian Tafili) Floresha Kalemi, kërkon të të takojë. Floresha me shkrim thotë, nuk kam kohë. Çfarë kërkon thotë, të shkruar. Bëjë me shkrim, me dy kopje, dorëzoje të sekretarja. Do të kthejë përgjigje Doriani brenda afatit.
Qytetarja – Po ne kemi bërë me shkrim sa të duash dhe s’na ka kthyer përgjigje. Sa të duash kemi bërë me shkrim, prandaj thashë t atakoja një herë.
Sportelistja – Ça të të them unë. Bëjë me dy kopje dhe hajde pas 15 ditësh të kërkosh sqarim.
Qytetarja – Me dy kopje e kam, kam dy muaj moj dhe nuk marr përgjigje.
Qytetarja shkon në prokurorinë Fierit, takon kryeprokurorin
Qytetarja – Si jeni?
Drejtuesi i prokurorisë – Si kaluat.
Qytetarja – Shef, kemi një hall shumë të madh.
Drejtuesi i prokurorisë – Na thuaj.
Qytetarja – Ne na ka ndodhur një vjedhje para 1 viti, quhemi Floresha dhe Xhemal Kalemaj. Kërkesa jonë, nga ana e prokurorit, nuk po na kthen asnjë përgjigje. Data 14 erdhi, çfarë do të bëhet me këta kriminelë. Tani prokurori nuk na kthen asnjë përgjigje për shkresën që i kemi drejtuar.
Drejtuesi i prokurorisë – Ju vërtet keni bërë një letër, po letra i ka kaluar po për shqyrtim prokurorit të çështjes. Kështu që, atë përgjigjen e asaj shkresës, për kërkimin që ju keni, është prokurori që do ju japë përgjigje. Mua nuk më ka ndodhur deri më tani, për të gjithë qytetarët, se këtë tagër që ma ka dhënë ligji, u kam dhënë porosi për çdo shkresë që vjen,brenda afatit ligjor që është 15 ditë, t’ju vijë përgjigja juve. Për atë qëndrim që mban prokurori. Kurse për hetimin, që mund ta ndaloj apo ta zgjas, unë si drejtues prokurorie nuk mund ta bëj. Çështja kontrollohet nga gjykata, që është gjyqtari i hetimeve paraprake. Përgjigjen për letrën, prokurori do të japë një përgjigje se s’bën, në lidhje me kërkesat që keni. E pranon, se pranon është vendimmarrja, se sikurse thashë, drejtuesi i prokurorisë nuk futet te hetimi. Ça i ke kërkuar me shkresë prokurorit?
Qytetarja – Asnjë përgjigje s’më ka kthyer.
Drejtuesi i prokurorisë – Ça i ke kërkuar? Megjithatë unë i shikoj, njëra është për të zgjatur hetimet, kjo është vendimmarrja e atij, nuk është veprim hetimor.
Qytetarja – Tani ai as na i kthen me shkrim, asnjë gjë.
Drejtuesi i prokurorisë – Tani kërkesat tuaja, unë po bën çudi që s’ti ka kthyer. Unë, ditën e nesërme, sepse sot thash jam te ky seminar. Ditën e nesërme …
Qytetarja – Kjo do të thotë as s’dua të di për ju, për çështjen tuaj. As s’dua të di fare.
Drejtuesi i prokurorisë – Jo, mo jo, se për ty do të dijë se të ka në sallë të gjyqit. E di më mirë sesa unë.
Qytetarja – Kishte s’kishte kompetencë Arta Marku, ku thoshte që t’i kthehet përgjigje me shkrim zonjës nga Arta Marku tre herë. E pamundur, ai nuk kthen asnjë përgjigje, nga të gjitha shqetësimet që unë i drejtoj me letra.
Drejtuesi i prokurorisë – O zonjë.
Qytetarja – Ai kur nuk dëgjon Arta Markun.
Drejtuesi i prokurorisë – Jo s’ka punë Arta. Dhe njëherë emrin?
Qytetarja – Floresha Kalemaj.
Drejtuesi i prokurorisë – Nesër unë, këtë letër që lashë këtu për kujtesë, do të shikoj edhe kohën e kërkesave tuaja dhe çfarë përgjigje. Ju ka kthyer ndonjë rresht përgjigje?
Qytetarja – Fare, fare, fare.
Drejtuesi i prokurorisë – Fare, kjo po më çudit. Për pjesën e përgjigjes do të merrem unë, pse nuk është kthyer përgjigje dhe nëse është kthyer përgjigje, ku është përgjigjja.
Qytetarja shkon te sektori i trafiqeve në Policinë e Fierit
Qytetarja – Si keni qenë shef?
Oficeri i trafiqeve – Si dukesh, na fal se prite një çik.
Qytetarja – Na morën Benz-in dhe lekët dhe janë arrestuar dy persona. Mirëpo, gjatë përgjimeve, Pëllumbi (oficeri i policisë) na thotë, bile ia ka çuar edhe prokurorit, sepse na ka dalë bashkëpunëtore motra e një prej të arrestuarve. Ku në shumë përgjime del që është bashkëpunëtore, por del që ushtron edhe prostitucion. Tani Pëllumbi na thotë se do t’ia çoj shefit të trafiqeve, ka këtu e 8 muaj. Me sa më thatë ju në telefon, ju s’keni dijeni.
Oficeri i trafiqeve – Si e ka emrin?
Qytetarja – B M. dhe Pëllumbi më thotë që e ka prokuroria t’ia çojë trafiqeve normalisht.
Oficeri i trafiqeve – Nëse del diçka e re, ato bashkohen me këtë. Këtë bashkim e kërkon edhe oficeri, por e kërkon edhe prokurori.
Qytetarja – Oficeri e ka kërkuar.
Oficeri i trafiqeve – E ka kërkuar dhe ia kërkon prokurorit.
Qytetarja – Po prokurori është problemi, se nuk po lëviz.
Oficeri i trafiqeve – Ky është kompetenti.
Qytetarja – S’po lëviz prokurori pra.
Oficeri i trafiqeve – Të thashë, nuk e gjykoj dot prokurorin.
Qytetarja – Dhe ka dal dhe për prostitucion, siç thotë dhe prokurori këtu në mesazh. Tani ai më thotë dhe tjetrën, që unë shikoj vetëm rastin e vjedhjes, këto të tjerat i ndjek dikush tjetër. Kush është ky dikush pra, Pëllumbi më thotë i kemi çuar te shefi i trafiqeve. Këtu mua po më gënjejnë, kjo është ideja.
Oficeri i trafiqeve – Në atë kohë, që ka thënë Pëllumbi nga janari, unë s’kam qenë këtu. Po e sqarojmë, të thërras këtë specialistin që ka qenë këtu në atë kohë.
Qytetarja – Pëllumbi dhe dje më tha që e kemi çuar.
Oficeri i trafiqeve – (Ia shpjegon specialistit) Çështja ka vazhduar andej, e kanë ata të komisariatit, paska dalë një emër vajze …
Qytetarja – Motra e të arrestuarit.
Oficeri i trafiqeve – Motra e të arrestuarit, qenka si prostitutë, njërën tjetrën, siç thotë …
Qytetarja – Siç thotë Pëllumbi, jo unë jo. Siç thotë Pëllumbi dhe ja referon prokurorit. E thotë dhe prokurori me mesazh.
Oficeri i trafiqeve – Më thuaj emrin si e ka?
Qytetarja – B M.
Specialisti – Ne po të japim përgjigje zyrtare.
Qytetarja – Dmth, te ju nuk ka ardhur gjë?
Oficeri i trafiqeve – Jo.
Specialisti – Ja të marrë (në telefon) shef Pëllumbin.
Qytetarja – Dakord.
Oficeri i trafiqeve – Alo pëllumb si kalove? Kam një zonjë këtu, si e kishe emrin?
Qytetarja – Floresha Kalemaj.
Oficeri i trafiqeve – Floresha Kalemi. Keni ndjekur një rast vjedhjeje ju, te biznesi i tyre. Dhe më thotë që i keni thënë që keni nisur një material nga zyra e trafiqeve. Ti ke dijeni që i ka nisur prokurori drejt nesh? Kur është nisur ky material që ke dijeni? Kush prokuror e ka si çështje? Ti vetë ke dërguar gjë këtu te mua? Nuk ke dërguar asgjë?! Tani Pëllumbi po më thotë që ne nuk kemi dërguar gjë thotë. Unë kam dijeni thotë, prokurori mund të ketë dërguar diçka.
Specialisti – Ku doli që ka ushtruar prostitucion?
Qytetarja – Atë e thotë Pëllumbi që ka ndjekur përgjimet.
Oficeri i trafiqeve – Zonja po thotë që ka thënë kshu, kshu. Ne nuk e gjykojmë punën as të oficerit dhe as të prokurorit
Qytetarja – Atëherë s’duan ta bëjnë ata?
Oficeri i trafiqeve – Jo, nuk e themi dot atë ne, se ne nuk e dimë se ça është bërë.
Qytetarja – Juve nuk e keni me një fjalë?
Oficeri i trafiqeve – Neve nuk na ka ardhur asnjë material, kjo është përgjigjja përfundimtare. (Thërret një tjetër specialist). Ideja është ka ardhur gjë apo jo, se ça mund të dish, është punë tjetër.
Specialisti 2 – Që nga 25 qershori e këtej, jo njëherë.
Oficeri i trafiqeve – Këta (specialistët) kanë qenë.
Qytetarja – Dakord shef.
Top Channel