Rreth 100 emigrantë, përfshi familje me fëmijë, ngritën një kamp gjatë natës në një pikë kalimi kufitar mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, me synimin për të kaluar pikërisht në vendin ballkanik, njëherësh pjesë e Bashkimit Europian.

“Këta njerëz e kaluan natën jashtë. Ata janë nën mbikëqyrjen e policisë, shumë pranë pikëkalimit kufitar të Izaçiçit”, pranë qytezës veriperëndimore të Bihacit, tha zëdhënësja e policisë Snezana Galiç, këtë të martë.

Policia i pengoi ata t’i afroheshin pikës së kalimit kufitar. Emigrantët qëndruan anës rrugës gjatë të gjithë natës, në një kohë kur temperaturat shënuan një rënie deri në 5 gradë Celsius. Policia tentoi më kot t’i nxiste të riktheheshin në një hotel aty pranë, pasi ata refuzuan ta bënin diçka të tillë.

Bosnje-Hercegovina është shmangur në të kaluarën nga emigrantët në rrugëtimin e tyre për të mbërritur në vendet e Europës Perëndimore, por ka parë një rritje të fluksit të tyre që prej fillimit të këtij viti.

Bihaci është pikërisht në kufi me anëtaren e BE-së, Kroacinë. Policia përllogarit që në zonën e Bihacit të jenë disa mijëra emigrantë, por autoritetet boshnjake nuk kanë ngritur ende një qendër formale të pritjes së tyre në këtë zonë.

Top Channel