Arabia Saudite ka thënë se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë, duke përmendur një “operacion hileqar” si arsye të vrasjes që ka nxitur zemërim ndërkombëtar.
Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir ka thënë për “Fox News” se, akti ka qenë “gabim shumë i madh” dhe ka mohuar pretendimet se trashëgimtari i fronit, Mohammad bin Salman ka urdhëruar vrasjen.
Al-Jubeir e ka përshkruar incidentin si vrasje.
“Ne jemi të vendosur për të gjetur të gjitha faktet. Jemi të vendosur edhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për këtë vrasje”, ka thënë ai. “Individët që kanë kryer aktin, kanë vepruar jashtë shkallës së autoritetit të tyre”, ka shtuar ministri saudit.
Arabisë Saudite i është bërë presion vazhdimisht për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, pasi ky shtet fillimisht ka deklaruar se Khashoggi është gjallë.
Ai është parë për herë të fundit duke hyrë në Konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor. Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi, një kritik i qeverisë saudite, është vrarë nga një ekip i agjentëve sauditë brenda ndërtesës.
Arabia Saudite ka thënë fillimisht se, gazetari është larguar i sigurtë nga konsullata, derisa të premten e ka pranuar për herë të parë se ai ka vdekur, duke thënë se Khashoggi është vrarë në një përleshje. Megjithatë, ky pretendim është pritur me dyshime.
Top Channel